Historia dhe kultura marrin vëmendjen kryesore të turistëve që vizitojnë Shqipërinë, veçanërisht turistët që vijnë nga Evropa qendrore e veriore.
Në qarkun e Korçës krahas muzeve dhe zonave arkeologjike, Tuma e Kamenicës këtë vit është shndërruar në një prej vendeve më të vizituara nga turistët e huaj.
Arkeologu Lorenc Cenolli shpjegon se rimarrja e Tumës se Kamenicës në administrim nga drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore ka bërë që numri i vizitorëve gjatë muajve të fundit të rritet së tepërmi.
Tuma e Kamenicës është një prej vendvarrimeve më të mëdha të njohura deri më tani, në të cilën arkeologët kanë zbuluar 400 varre, më të vjetrit prej të cilëve i përkasin shek XII p.e.s.
Të gjithë turistët e huaj që vizitojnë Tumën e Kamenicës ndihen të mrekulluar për historinë e kësaj tume.
“Kemi patur një tur shumë të mirë duke parë pjesë të historisë në juglindje. Tuma e Kamenicës është unike, kjo është e pabesueshme dhe e vlerësojmë shumë që e pamë. Shqiptarët janë shumë miqësore dhe të butë, ndihemi shumë të sigurt këtu. Sidomos për kuzhinën dhe vera, akoma më e mirë.”
“Jam shumë e emocionuar që ndodhem në Shqipëri sepse ka një histori unike, shumë interesante mënyra e drejtimit të vendit ndër vite, njerëzit janë shumë miqësore. Tuma e Kamenicës është fantastike, isha e interesuar ta shihja, kisha parë në internet dhe çdo gjë duket bukur.”
Edion Maliqaj, përfaqësues i një prej guidave që operojnë në vendin tonë në bashkëpunim me guida europiane tha se turistët e Europës Veriore në veçanti janë shumë të interesuar për turizmin kulturor dhe historik të vendit tonë, në veçanti atë të qarkut të Korçës.
Burime zyrtare nga drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore bëjnë të ditur se kjo drejtori ka në administrim 240 sajte arkeologjike ndërkohë që 130 prej tyre janë të vizitueshme edhe për shkak të infrastrukturës rrugore. Vetëm në qytetin e Korçës janë 5 muze, 3 prej të cilëve kanë një interesim të jashtëzakonshëm nga turistët e huaj, si Muzeu i Artit Mesjetar, Muzeu i Arsimit dhe Muzeu “Gjon Mili”./vizionplus.tv