U akuzua dhe doli i pafajshëm, por nuk pranohet në punë! Rrëfimi i trishtë i ish-policit: Duhet të ushqej familjen, kam investuar për atë vend

1 month ago 22

Episodi i 12 i podkastit “Fol me Anila Hoxhën” në Top Albania Radio, projekt i qendrës “Fol” nën mbështetjen e zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në ambasadën Amerikane Tiranë, titullohet “Mundësia e dytë”.

Ish-polici Behar Ismaili u arrestua, u gjykua dhe u shpall i pafajshëm. Në të njëjtën kohë që ishte prerë mase ndaj tij, ai përjashtohet nga detyra. Në podkast, ai tregon historinë e tij për vështirësitë për t’u kthyer në punë.

Anila Hoxha: Në studio gjendemi me z. Behar Ismaili, i cili është diplomuar në Akademinë e Policisë dhe ka shërbyer në polici për gati 5 vite. Më tej, ai nga një person i cili arrestonte personat të dyshuar për vepra të ndryshme penale për shkak se ishte i angazhuar si agjent i krimeve në Komisariatin e Rinasit përfundoi në një person të arrestuar nga kolegët e tij. Gjithë pasojat që vazhdon ti kalojë do të na i shpjegojë tani. Përshëndetje z. Ismaili.

Behar Ismaili: Përshëndetje Anila. Të falënderoj për ftesën.

Anila Hoxha: Kur nisi hetimi ndaj jush?

Behar Ismaili: Hetimi ndaj nesh ka nisur normal pa dijeninë tonë. Ka nisur për një ngjarje në 26 dhjetor të 2019, ka qenë në prag të Vitit të Ri. Isha në punë, bashkë me kolegun tim i cili tani është rikthyer në punë, quhet Besian Mustafa. Na është bërë një telefonatë nga eprori jonë “që do vij një person në hyrje dhe dyshohet për dokumente false”. Porosia ishte e rëndësisë së veçantë. Kemi pritur personin në hyrje. Kemi printuar fillimisht fishën e TIMS-it sepse personin nuk e njihnim. Në momentin që kam pritur personin në aeroportin e Rinasit, në pikën e hyrjes është parë vizualisht nga unë dhe oficeri i krimeve dhe është ndaluar.

Anila Hoxha: Ju ishit me dokument identifikues “oficerë policie” apo po kryenit një operacion si “agjentë krimesh” të paidentifikuar ?

Behar Ismaili: Ishim të paidentifikuar. Ishim civilë. Në momentin që e kemi ndaluar jemi prezantuar dhe kemi kaluar në vijën e dytë të doganës e cila ishte pajisur me kamera. Është kontrolluar personi në fjalë, i është kontrolluar bagazhi dhe është kontrolluar fizikisht dhe nuk i kemi konstatuar asgjë të jashtëligjshme.

Anila Hoxha: Ai largohej jashtë Shqipërisë?

Behar Ismaili: Jo, po kthehej në Shqipëri. Ishte në pikën e hyrjes. I kemi hapur portofolin dhe në portofol duke qenë se ishte portofol i ri zakonisht janë disa sende plastike që blihen bashkë me portofolin apo qëllojnë në portofol edhe këto i kemi çuar pranë laboratorit. Dhe ia kemi nisur edhe eprorit tonë me foto. Na është kthyer përgjigje që “nuk përbën interes për ne, këto që na keni nisur ne, me foto”. Pas asaj kemi folur prapë me eprorin tonë dhe na është dhënë urdhri “që të vazhdojë lirshëm sepse përderisa sa nuk ka dokumente false me vete nuk kemi se çfarë operojmë më shumë”.

Anila Hoxha: Në telefon apo në radio të policisë?

Behar Ismaili: Në telefon. Kjo ngjarje ka ndodhur në 26 dhjetor 2019. Ne jemi proceduar në 16 maj 2020.

Anila Hoxha: Kanë kaluar disa muaj nga ngjarja deri në procedim? Pra ju u hetuat për këtë individ?

Behar Ismaili: Për këtë individ.

Anila Hoxha: Dhe me akuzën?

Behar Ismaili: Shpërdorim detyre në bashkëpunim.

Anila Hoxha: Çfarë kishit bërë? Për çfarë dyshoheshit?

Behar Ismaili: Supozohet që ne i kemi gjetur dokumente false personit në fjalë dhe nuk i kemi raportuar.

Anila Hoxha: Cila është prova kundër jush?

Behar Ismaili: Prova ishte një telefonatë që kishte bërë. Sapo kishte dalë nga zyra jonë dhe merr dikë që nga biseda që del se është femër dhe thotë “zemër më gjetën kartën, dhe më lanë. Por, nuk e di pse më lanë”. Gjatë hetimeve ka dalë se ai kurrë s’ka patur dokumente false me vete, madje del që këto dokumente ia kishin bllokuar në Portugali.

Anila Hoxha: Ky ishte një person i kërkuar? Pse dyshohej se udhëtonte me dokumente false?

Behar Ismaili: Ky ishte pjesë e një procedimi dhe dyshohej se ishte person që ndihmonte njerëz të tjerë që të iknin drejt vendeve si Anglia, në rastin konkret.

Anila Hoxha: Në total sa persona ishin?

Behar Ismaili: Në mos gaboj 24-25.

Anila Hoxha: Momenti i arrestimit. Ju ishit në detyrë ? Ku gjendeshit?

Behar Ismaili: Isha në shtëpi. Më morën në telefon dhe u paraqita vetë. Më thanë që iu është komunikuar një masë për ju “arrest në shtëpi”.

Anila Hoxha: Iu erdhi si diçka e papritur kur kërkuat të mësonit pse?

Behar Ismaili: Normal kërkuam prova, se kërkuam fakte por …

Anila Hoxha: Si ishte ai moment?

Behar Ismaili: Normal që ishte zhgënjyese. Unë e dija që çfarëdo lloj akuze që mund të më bënin e dija që isha shumë i pastër në këtë pjesë. Se detyra jonë…asnjë punonjës policie kur merr një urdhër nga eprori dhe kur është e një rëndësie të veçantë nuk ka mundësi të luajë me urdhrin e eprorit. Sepse dihet se aty është diçka jashtë normales. Është si të thuash një punë e një rëndësie të veçantë.

Anila Hoxha: Sa kohë zgjati procesi gjyqësor?

Behar Ismaili: Procesi gjyqësor ka zgjatur deri vjet në pranverë. Deri në 2023.

Anila Hoxha: U gjykuat nga Gjykata e Posaçme apo çfarë ndodhi? Duke qenë se aktet ishin të regjistruara nga ish-Krimet e Rënda dhe për rrjedhim dhe duhet t’i pasoheshin më pas Gjykatës së Posaçme.

Behar Ismaili: Ne u morëm të pandehur nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Pastaj gjykata shpalli moskompetencën. Sepse nuk mund të gjykonte shpërdorimin e detyrës dhe kemi kaluar në Gjykatën e Tiranës.

Anila Hoxha: Çfarë ndodhi në gjykim? U tërhoq prokuroria apo…?

Behar Ismaili: Prokuroria kërkoi pafajësi dhe gjykata na dha pafajësi.

Anila Hoxha: Po për personat e tjerë ?

Behar Ismaili: Për personat e tjerë, nuk e di se ato vazhduan gjykimin tek Gjykata e Krimeve të Rënda.

Anila Hoxha: Morët pafajësi nga të gjitha shkallët e gjyqësorit?

Behar Ismaili: Për anën penale. Ndërsa në administrative…

Anila Hoxha: Ju ndërkohë u pezulluat? U shkarkuat? Çfarë ndodhi?

Behar Ismaili: Në anën administrative ne jemi proceduar në maj dhe në gusht kemi qenë të përjashtuar të dy nga Policia e Shtetit.

Anila Hoxha: Më tej ju hapët një proces? Mbasi prokuroria kërkoi pafajësi, gjykata e aprovoi në formë të prerë?

Behar Ismaili: Procesin administativ e hapëm që në momentin që ne u përjashtuam nga Policia e Shtetit për një periudhë në mos gaboj 5-6 muaj, Gjykata e Shkallës së Parë Administrativ e hodhi poshtë urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm,pa mbaruar hetimi penal.

Anila Hoxha:Aktualisht cili është vendimi i formës së prerë dhe i administratives dhe i gjykatës penale?

Behar Ismaili: Në Gjykatë Administrative, vendimi i formës së prerë nuk është marrë, se është në Gjykatën Administrative të Apelit, kurse në shkallë të parë e kemi fituar. Tani normal Avokatura e Shtetit e ka apeluar.

Anila Hoxha: A jeni kthyer në polici z. Ismaili?

Behar Ismaili: Jo, nuk jam kthyer në polici ka një hapësirë ligjore për t’u kthyer në polici.Kam bërë një kërkesë pranë Drejtorisë së Kufirit, Tiranë. Kërkesa me sa di unë është përcjellë lart por ka 4 muaj që ska marrë përgjigje.

Anila Hoxha: Cilat janë pasojat e këtij hetimi, gjithashtu të shpalljes të masës, njoftimit të mënyrës së saj , gjykimit tuaj , pritjes , largimit nga policia? Cilat ishin pasojat direkte në jetën tuaj?

Behar Ismaili: Pasojat?!Pasojat janë normale, pasojat janë të pashmangshme sepse ne jemi familjarë, jemi në moshën më të mirë. Supozohet që do krijojmë jetën, do vazhdojmë jetën, do ushqejmë familjen. Kemi investuar për atë vend pune. Kemi mbaruar një shkollim dhe pasojat janë si individ por janë edhe në raport me familjen.

Anila Hoxha: Pse u arrestuat ju sipas jush?

Behar Ismaili: Unë besoj se është një hetim i cunguar dhe hetim i paragjykuar.

Anila Hoxha: Për çfarë arsyesh?

Behar Ismaili: Arsyet janë nisur nga përgjimi dhe janë marrë fakt. Ajo ka qenë thjesht një indicie dhe e kanë bërë fakt.

Anila Hoxha: Vetëm kaq?

Behar Ismaili: Vetëm kaq.

Anila Hoxha: Ndoqëm z. Behar Ismaili, oficer policie i cili ka kaluar telashet e tij me drejtësinë dhe që natyrisht pavarësisht pafajësisë, pavarësisht një dëshmie të pastër tanimë vazhdon të vuajë pasojat e përballjes me drejtësinë shqiptare. Kthehemi pas pak në studio.

Read Entire Article