Astrit Avdylaj i njohur ndryshe edhe si “Niçja” i Shijakut është arrestuar këtë të mërkurë nga Forcat Operacionale dhe RENEA në banesën e tij.
“Niçja”, i cili është edhe kreu i një prej bandave më të rrezikshme në vend, është dënuar nga Gjykata e Posaçme me masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, pasi doli në bisedat në aplikacionin Sky Ecc, të dosjes ‘Metamorfoza 3’, teksa komunikonte me personazhe të tjerë të botës së krimit për vrasjen e Durim Bamit.
Lexo edhe :
Related Posts
Dyshohet se Avdylaj kishte siguruar kushtet për Ervis Martinajn, ish-deputetin socialist Arben Ndoka dhe personazhe të tjerë të botës së krimit, për vrasjen e ‘të fortit’ të Niklës, Durim Bamit. Pra akuza me të cilën do të duhet të përballet Astrit Avdylaj, i njohur edhe si Niçe, është ajo e ‘sigurimit të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, në kuader të grupit të strukturuar kriminal’. Por ndaj tij rëndojnë edhe akuza të tjera, si ajo për trafikim droge, vrasje, prostitucion, por edhe për lidhje të forta politike.
Por kush është Astrit Avdylaj?
Rrugëtimi kriminal i Avdylajve ka nisur që në vitet 1990. Ka qenë pikërisht vrasja me armë zjarri e Dritan Avdylit, kushëririt të parë të Astrit Avdylajt, fillesa e gjithçkaje.
Astrit Avdyli, djali i xhaxhit të Dritanit, i dënuar më parë për prostitucion në Itali ka marrë hak duke vrarë në qendër të Shijakut personin që nxori në pritë Dritanin. Hakmarrja nuk u ndal me kaq, pasi vëllai i Astritit, Shkëlqimi vrau në Tiranë, Durim Kusin. Edhe familjarë të tjerë, si Jasmin Avdyli apo Flamur Avdyli janë të lidhur me botën e krimit. Astrit Avdyli u lirua 3 vite para se të mbaronte dënimin pasi u ekzaminua me “depresion dhe tentativa vetëvrasëse”.
Dënimet me burg
I dënuar me 16 vjet burg për një vrasje të ndodhur në vitin 1997, Avdyli ndërmori një betejë ligjore 10-vjeçare për lirim të parakohshëm nga burgu i Shënkollit-dhe në fund e fitoi.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se Astrit Avdyli u lirua pas 13 vitesh burg, pasi siguroi një raport mjekësor që e diagnostikonte atë me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”. Ai doli nga burgu më 2 mars 2016, pasi Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e tij me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”.
Pak kohë pas lirimit nga burgu, Avdyli u vendos nën hetim për përfshirje në trafikun e drogërave të forta. Për dy vjet e gjysmë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kreu me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh, derisa në tetor 2018 ngriti akuza për 44 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime masive me pronat.
Astrit Avdylaj është liruar nga qelia e paraburgimit dy vite pas arrestimit të bujshëm, në korrik 2021 dhe përfundoi në ‘arrest në shtëpi’.
Lidhjet me politikën
Avdylajt, për shkak edhe të grupit kriminal të fuqishëm që kishin krijuar, nisën të kishin edhe lidhje të drejtpërdrejta me politikën. Media gjermane “Bild” publikoi biseda të tij dhe me ish-kreun e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako ku flitej për sigurimin e votave, por edhe për influencë në përzgjedhjen e kandidateve për deputetë të PS në këtë qark në zgjedhjet e 2017. Kjo lidhje, u faktua edhe nga dosja hetimore e prokurorisë “339”./vizionplus.tv