Qeveria shleu gati 100.8 miliardë lekë apo rreth 1 miliard euro borxh dhe interesa në vitin që lamë pas, në nivelin 4.36% të PBB-së.
Në vlerë absolute, ky është niveli më i lartë i paguar që kur vendi u shndërrua në ekonomi tregu duke tejkaluar edhe rekordin që ishte vendosur në 2015-tën dhe 2020-tën.
Gjatë 2023-it, për herë të parë në 11 vite borxhi publik u ul poshtë nivelit 60%. Kjo erdhi si pasojë edhe e një suficiti rekord në Buxhet, i cili pavarësisht dy akteve normative të qeverisë nuk u arrit të materializohej i gjithi në investime kapitale, ndërsa rreth 31 miliardë lekë apo 300 milion euro mbetën pa u shpenzuar. Një efekt të konsiderueshëm pati edhe forcimi i lekut, që sipas shifrave të Ministrisë së Financave vetëm nga rivlerësimi në bilanc uli automatikisht me 9% borxhin e jashtëm.
Një tjetër rekord që vendosi vendi ynë është vlera e interesave që ka paguar. Gjithsej ato arritën në 47.6 miliardë lekë apo 470 milionë euro, në nivelin 2% ndaj PBB-së.
Pagesat rekord për interesa erdhi për shkak të politikave monetare ndjekur nga Banka e Shqipërisë, apo Bankat e tjera homologe evropiane dhe amerikane, që rritën normat e interesit vitin e kaluar. Interesat e borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm u rritën përkatësisht me nga 17%.
Qeveria do të vijojë me planet e saj ambicioze për uljen e borxhit publik, ndërsa parashikon të paguajë më pak shërbim borxhi këtë vit, për të arritur një rekord të ri në 2025-ën kur përfundon edhe afati i eurobondit të ardhshëm.
Top Channel