Udhëheqësit e G7 u zotuan sot se do të mbështesin Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme në luftën e saj kundër Rusisë dhe thanë se do të kërkojnë mënyra për ta bërë Moskën të paguajë për katastrofën.
Udhëheqësit e G7 zhvilluan një video-konferencë me rastin e përvjetorit të dytë të pushtimit rus, i cili ka kushtuar jetën e dhjetëra mijëra njerëzve dhe dëme të mëdha materiale dhe ekonomike.
“Ndërsa Ukraina hyn në vitin e tretë të kësaj lufte të pamëshirshme, qeveria dhe populli i saj mund të llogarisin në mbështetjen e G7 për aq kohë sa duhet”, thuhet në deklaratën e G7.
Në fillim të videokonferencës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të ofrojnë ndihmë ushtarake “në kohë” për vendin e tij.
“Ju e dini shumë mirë se për çfarë kemi nevojë për të mbrojtur qiejt tanë, për të forcuar forcat tona tokësore, për çfarë kemi nevojë për të mbështetur dhe për të vazhduar sukseset tona në det dhe ju e dini shumë mirë se këto duhen dhënë në kohë dhe se ne po llogarisim tek ju”, tha Presidenti Zelensky.