Situata në Avdijivka ishte po aq e vështirë sa ç’e paralajmëruan Shtetet e Bashkuara, duke detyruar Ukrainën të tërheq trupat e saj nga qyteti në vijën e frontit, në mënyrë që të shmangin rrethimin, siç sqaroi komandanti i ri i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskiy.
Me largimin nga qyteti lindor, Kievi praktikisht i dorëzon Rusisë fitoren më të madhe simbolike që prej dështimit të kundërofensivës së Ukrainës verën e vitit të kaluar.
Rusia e kërkonte prej muajsh kontrollin e Avdijivkës, që shënon për forcat e Moskës triumfin më të madh mbi një territor të rëndësishëm të vendit të mësyrë fqinj që prej rënies së Bahmutit majin e kaluar. Syrskiy sqaroi përmes një postimi në Facebook se kishte vendosur tërheqjen e njësive nga qyteti në ndryshimin e strategjisë së mbrojtjes në vija më favorizuese.
“Ushtarët tanë kanë kryer detyrat e tyre ushtarake me dinjitet, kanë bërë gjithçka që kanë mundur për të shkatërruar ekipet më të mira të ushtrisë ruse dhe kanë shkaktuar dëm të madh tek armiku”, shtoi ai.
Ky është vendimi i parë i madh i Syrskiyt që kur ai u emërua në postin e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë më 8 shkurt. Ai tha se këtë vendim e mori për të shpëtuar jetën e ushtarëve dhe për të parandaluar rrethimin e tyre. Forcat ukrainase po përballen me presion në frontin lindor për shkak të mungesës së municioneve, teksa paketa e ndihmës ushtarake të Shteteve të Bashkuara në vlerë prej 60 miliardë dollarësh, vazhdon të mbetet e bllokuar në Kongres.
Top Channel