Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë raportuar 25 vatra zjarri, por pas ndërhyrjes nga forcat zjarrfikëse 23 prej tyre janë shuar.
Vatër problematike ishte ajo në fshatin Shishtavec në Kukës, e cila është izoluar plotësisht, pas ndërhyrjes së ushtrisë dhe helikopterit “Cougar”.
Vijojnë të mbeten aktive, por pa rrezik për jetën dhe pronën e qytetarëve, vatrat e zjarrit në Selenicë dhe në bashkinë Fushë-Arrëz.
“Në operacionet e shuarjes së zjarreve janë angazhuar 336 forca zjarrfikëse, ushtarake, të Policisë së Shtetit dhe vullnetarë, të mbështetur nga helikopteri “Cougar”. Angazhimi i këtyre forcave ka sjellë stabilizimin e situatës në të gjithë vendin”, tha Leonard Qyra, drejtor i Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente.
Drejtuesit e Institucioneve thonë do të vazhdojnë monitorimin e situatës, ndërkohë që ministria e Mbrojtjes apelon që qytetarët të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë në kohë çdo incident, pasi dëmtimi i pronës me zjarr ndëshkohet me ligj./vizionplus.tv