Vetëvrasja e 41-vjeçares pas bullizimit në Tik-Tok, reagon Balla dhe Spiropali: Të bëjmë gjithçka për parandalimin e dhunës ndaj grave

8 months ago 52
Reklamë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur tre ditë më parë në Durrës, ku 41-vjeçarja Bedrie Loka i dha fund jetës pas videove denigruese në “Tik Tok”.

Përmes një postimi në Facebook, Balla shkruan se duhet bërë gjithçka për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave, ndërsa ka shpërndarë dhe numrat e kontakteve për të kërkuar ndihmë, për këdo që është në nevojë.

Reagim i Taulant Ballës:

Duhet të bëjmë gjithçka për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave, e cila mbetet forma më e përhapur e shkeljes së të drejtave të njeriut në mbarë botën!

Asnjë Justifikim ndaj dhunës, as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, AS ONLINE⛔️. Askund!

Kërko ndihmë në 16117

Raporto në 129

Ndërkohë lidhur me ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropalin.

Në reagimin e saj Spiropali thekson se denoncimet për krimet kibernetike dhe kërcënimet online duhet të trajtohen me seriozitet maksimal nga organet ligj zbatuese dhe nga sistemi i drejtësisë.

Reagimi i Spiropalit:

Një grua 41 vjeçe, nënë e katër fëmijëve, raportohet se vrau veten për shkak të denigrimit dhe bullizmit në rrjete sociale.

Ky rast tmerrësisht i rëndë kërkon drejtësi!

Dënimi maksimal i autorit ose autorëve për shkaktim/nxitje të aktit të vetvrasjes është më e pakta që duhet të ndodhë!

Është momenti të ndërgjegjësohemi se gjuha e denigrimit dhe e dhunës në rrjete sociale prek në mënyrë shproporcionale gratë dhe vajzat, ushqehet nga kultura e dhunës patriarkale që i izolon gratë në këndin e “turpërimit” kolektiv duke u sjellë trauma të rënda individuale, familjare dhe shoqërore.

Gjuha e poshtërimit dhe e denigrimit të grave gjendet rëndom në median vizive, të shkruar dhe online, ku sulmet kalojnë pa u analizuar dhe pa u dënuar nga ligji dhe shoqëria.

Denoncimet për krime kibernetike dhe kërcënime online duhet të trajtohen me seriozitetin maksimal nga organet ligjzbatuese dhe nga sistemi i drejtësisë.

Legjislacioni për mediat online, krimet kibernetike, kodi penal etj, kanë nevojë për ndërhyrje imediate që kultura e shpifjes dhe e denigrimit të luftohet pa asnjë rezervë nga ligji dhe të mos kthehet në normalitet shoqëror. Ngushëllime familjes së të ndjerës! U prehtë në paqen që nuk e lejuan të kishte në jetë.

/Vizionplus.tv/

Read Entire Article