Viktimë e sistemit të mikrokredive, flet djali i Pal Trashajt, tregon fjalët e fundit të babait: Dëmtova veten se s’po gjej drejtësi

4 months ago 34

Gledis Trashaj ka folur për mediet pasi babai i tij, Pal Trashaj humbi jetën mëngjesin e sotëm. 63-vjeçari nga Lezha i dha fund jetës duke pirë fostoksinë një ditë më parë, 2 korrik,  jashtë ambienteve të SPAK. Pavarësisht se u dërgua me urgjencë në spital, nuk mundi të mbijetonte dhe ditën e sotme humbi jetën.

Gledis Trashaj thotë se ka mbërritur rreth orës 23:30 të mbrëmjes së djeshme në spital pasi ndodhej jashtë shtetit. Vizion Plus raportoi më herët se Pal Trashaj dyshohet të jetë një nga mijëra qytetarët që janë zhvatur nga skema e mikrokredive, për të cilën ranë në pranga dhjetë persona. Sipas Gledisit, kredia është marrë në vitin 2009 dhe më pas një shoqëri përmbarimore i konfiskoi pronën, makinën dhe madje pagën minimale.

Gledis Trashaj: Kredia është marrë në vitin 2009, nuk kam informacione të sakta sepse kjo është një procedurë juridike. Për ne është një ngjarje shumë tronditëse, shumë e rëndë. Unë erdha dje në darkë në orën 23:30 te Toksikologjia. Gjatë kohës që ne pyesnim, ishte e vështirë për të marrë informacion….e pashë babanë por nuk ishte i vetëdijshëm. Mami dhe pjesëtarët e tjerë të familjes e kanë takuar, thanë që fliste. Di që herë pas here ai ka qenë në kontakt me SPAK, nuk e di si ka vazhduar procedura. Babi ka pasur probleme me një bankë. Kujtoj një rast të tmerrshëm, shoqëria përmbarimore me vendim gjykate në vitin 2014 ka arritur sa na ka bllokuar minimumin jetik. Konfiskimi ka qenë i pronës, makinës…më absudre nuk kishte ku të shkonte. Banesa ndodhet në fshatin Pllanë. 

Gledisi tregon se pasi i ati konsumoi fostoksinë kishte marrë në telefon të shoqen dhe i kishte treguar se çfarë kishte ndodhur.

Gledis Trashaj: Babai i ka thënë nënës “Kam marrë fostoksinë se nuk po gjej drejtësi.” Jemi të shokuar emocionalisht. Humbja e prindit është e madhe.

Ai kërkon nga SPAK që të verifikojë të gjitha dosjet dhe thotë se do ta ndjekin këtë çështje deri në fund.

Gledis Trashaj: SPAK duhet të verifikojë të gjitha dosjet. Ne do të marrim avokat ta ndjekim. Që në 2014 me një vendim gjykate shoqëria përmbarimore Arda El mund të jetë shoqëri si Sudja, piramidale, personalisht mua më ka bllokuar minimumin jetik (Pagen minimale). Unë punoja në administratë në ZRSHT (Zyra e Shërbimit Turistik), Lezhë, nga marsi 2014. Minimumi jetik ishte diku 110 mijë lekë, e gjithë paga bllokohej në mënyrë absurde. Mua më ka prekur në mënyrë absolute. Isha një punë de facto po jo de juro nuk merrja rrogë, është absurde ta mendosh. Arrija të mbijetoja në sensin e një pune të dytë.

Si ndodhi ngjarja 

Vizion Plus ka mësuar se Pal Trashaj dyshohet të jetë një nga mijëra qytetarët që janë zhvatur nga skema e mikrokredive, për të cilën ranë në pranga dhjetë persona.

Në maj të këtij viti Prokuroria njoftoi se përmes krijimit të kësaj skeme mashtrimi kompania “Micro Credit Albania” në bashkëpunim me subjekte të tjera financiare dhe zyrat përmbarimore, blenë borxhin në vlerën e 7.3 milionë euro që i përkisnin afro 4 mijë kreditorëve në një bankë të nivelit të dytë e më pas i detyruan ta shlyenin atë përmes shantazhit.

Fitimet që kishin gjeneruar, i kishin investuar në letra me vlerë e obligacione . Sipas prokurorisë ata kanë përfituar përmes interesit vjetor nga 4% deri në 10.5% të vlerës së investuar. Ndërsa zyrtarisht u njoftua se organi i akuzës së kryeqytetit ngriu 10 milionë që iu përkasin personave e akuzuar për pastrim parash me skemën piramidale të mikrokredive. Paratë u bllokuan në llogaritë e 3 subjekteve financiare, mes të cilave edhe “Micro Credit Albania”./vizionplus.tv

Read Entire Article