Imtiaz Eisam Abu Eidah dhe gjashtë fëmijët e saj janë zhvendosur katër herë që nga fillimi i luftës në Gazë. Fletëpalosjet e lëshuara së fundmi nga ajri i paralajmëruan banorët që të largoheshin nga qyteti Rafah, i cili konsiderohej si vendi i fundit i sigurtë.
Abu Eidah dhe qindra mijëra njerëz të tjerë, shumica tashmë të zhvendosur disa herë, janë futur më thellë në Gazë, ndërsa intensifikohet lufta pranë kufirit me Egjiptin dhe kamionët me ndihma humanitare kanë mbetur në anën tjetër të kufirit.
“Nuk ka asnjë vend të sigurt. Sa herë duhet të zhvendosemi në një vend dhe pastrehë? Kemi vështirësi të gjejmë ujë për të pirë. Djali im duhet ë shkojë shumë larg për të gjetur ujë. Po fëmijët? Nuk kemi ujë të mjaftueshëm për të pirë”, thotë ajo.
Familjet e vendosura në tenda në shkretëtirën pranë qytetit Khan Younis, të shkatërruar nga lufta, thonë se nuk kanë mjetet bazë, si ilaçe, ushqime, ujë ose materiale për të ndërtuar një tendë.
Familjet e zhvendosura thonë se bota i ka braktisur ata, ndërsa vazhdojnë bisedimet e paqes mes dhunës në rritje.
“Gjëja më e vështirë për ne në këtë luftë është heshtja dhe zhgënjimi ndërkombëtar. Kjo ndikon psikologjikisht. Nuk e prisja që një ditë, në shekullin 21, në epokën e përparimit, lirisë, demokracisë dhe humanizmit, një palestinez do të vritej pa asnjë arsye”, thotë palestinezi i zhvendosur, Muhammad Mansour Al-Zanoun.
Lufta filloi në muajin tetor pasi militantët e Hamasit u futën në Izrael duke vrarë 1200 njerëz dhe marrë rreth 250 pengje, goditja më e rëndë ndaj Izraelit që nga pavarësia.
Ministria e shëndetësisë e Gazës, e kontrolluar nga Hamasi, thotë se që nga fillimi i luftës në Gazë janë vrarë më shumë se 35,000 njerëz dhe është zhvendosur shumica e popullsisë prej rreth 2 milionë banorësh.
Programi Botëror i Ushqimit tha të mërkurën se brenda disa ditësh do të mbarojnë rezervat e ushqimit dhe karburantit në Gazë. Organizata tha se zia e bukës është përhapur në të gjithë Gazën veriore, dhe rrezikohet edhe pjesa tjetër. Grupet e ndihmave thonë se sistemi i kujdesit shëndetësor ka muaj që nuk ekziston më.
Sikurse prindërit e tjerë, Abu Eidah, e cila tashmë ka humbur më shumë se 150 anëtarë të familjes së saj të gjerë, thotë se nuk ka asnjë mënyrë për të dalë nga Gaza. Zgjedhja e saj e vetme tani është që të përpiqet t’i mbijetojë luftës.
“Ëndrra ime më e madhe është armëpushimi. Jepini fund kësaj lufte të mallkuar. Sa herë duhet të vdesim? Duam vetëm paqe dhe siguri”, thotë nëna palestineze Imtiaz Eisam Abu Eidah.
Ajo thotë se ka dëgjuar se ditët e fundit janë futur disa ndihma humanitare në Gazë por nuk ka marrë gjë. Disa nga të afërmit e saj të vdekur janë gjetur dhe varrosur, shton ajo, por shumica mbeten të humbur nën rrënoja./voa