Xhaçka sërish në Kushtetuese, Bardhi: Gjykata të reagojë ndaj parlamentit, Basha kundër ridërgimit të padisë

4 months ago 18
Reklamë

44 deputetë të opozitës kanë goditur për herë të dytë në gjykatën kushtetuese çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.

Opozita kërkon nga kushtetuesja të saktësojë se cilat janë kompetencat e parlamentit , cilat kompetenca i përkasin gjykatës dhe të urdhërojë kuvendin për dërgimin në gjykatë të mandatit të ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka.

“Është në nder të GJ-së që duhet të mblidhet me urgjencë për të rivendosur në vend dinjitetin e përdhosur nga GJK. Nuk ka ndodhur kurrë, pavarësisht kundërshtimeve që të hidhen në kosh me votë politike vendimet e GJK-së”, tha Bardhi.

Ankimimin e kanë firmosur edhe dy deputetë që mbështesin Lulzim Bashën, Ori Nebiaj e Eralda Bano. Por vetë Basha ka dalë kundër ridërgimit të kësaj çështje në kushtetuese. Sipas Bashës në këtë rast opozita duhet të ndërmerrte një aksion të fortë në parlament

“Pas vendimit të shumicës në Kuvend nuk ka më hapësirë për t’iu drejtuar më Kushtetueses. Ai aksion që ndërmorën gjoja për komisionet hetimore sot duhej të ishte dyfish, trefish”, tha Lulzim Basha.

Në vitin 2022 dy grupime të opozitës i kërkuan parlamentit të çojë në gjykatën kushtetuese çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka, pasi sipas tyre bashkëshorti i saj ka përfituar nga pasuritë publike duke marre statusin e investitorit strategjik për një ndërtimin e një hoteli në jugun e vendit.

Parlamenti i rrëzoi të dy kërkesat dhe opozita iu drejtua gjykatës kushtetuese. Në janarin e vitit 2023 kushtetuesja vendosi që parlamenti nuk ka të drejtë të shqyrtojë çështjen e mandatit, por duhet të votojë në çdo rast pro dërgimit në gjykatë.

Pak ditë më parë mazhoranca në parlament vendosi të mos e dërgojë në gjykatën kushtetuese çështjen e mandatit të ish-ministres së jashtme Olta Xhaçka, duke sqaruar gjykata nuk mund të urdhërojë parlamentin se si duhet të votojë.

Ndaj opozita po tenton sërish të vejë në lëvizje gjykatën kushtetuese për të rrëzuar vendimin e shumicës socialiste./vizionplus.tv.

Read Entire Article