Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka takuar ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan Harchenko, të cilët diskutuan për tensionet në veri të Kosovës.
Takimi i Vuçiç me ambasadorin rus në Beograd u mbajt në ditën kur shoqata serbe bllokuan pikat kalimtare në pjesën serbe të kufirit me Kosovën.
Vuçiç tha pas takimit se i ishte ankuar ambasadorit rus për vështirësinë që ndodhet populli serb në Kosovë.
Nga ana tjetër, Bocan Harchenko ka thënë se Rusia është e vetëdijshme për gjendjen e vështirë në veri të Kosovës.
“Kosova do të jetë një nga çështjet më prioritet gjatë të ashtuquajturit sesion ministror në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në tetor pritet një seancë e Këshillit të Sigurimit dhe gjithashtu do të ofrojë mundësi që Rusia ta paraqesë qëndrimin e saj parimor, bazuar në Rezolutën 1244, për mbrojtjen e serbëve që jetojnë në Kosovë”, njoftoi ai.
Rusia është një ndër aleatet më të mëdha të Serbisë dhe Beogradi gëzon mbështetjen e saj të fuqishme në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.
Ndërsa Serbia është ndër vendet e pakta në Evropë që nuk dëshiron t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Kremlinit pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. /vizionplus.tv