Zbarkojnë 16 emigrantët e pare, personat nga Egjipti dhe Bangladeshi akomodohen në kampin e Gjadrit

3 hours ago 20

Anija ushtarake italiane Libra mbërriti sot në mëngjes në portin e Shëngjit për të sjellë 16 emigrantët e parë, në zbatim të marrëveshjes Shqipëri – Itali, firmosur nëntorin e vitit të shkuar mes kryeministrit Rama dhe homologes italiane Giorgia Meloni për strehimin e emigrantëve që do të shpëtohen në det.

“Libra” u nis të hënën e 14 tetorit nga ishulli i Lampeduzës në Itali, ndërsa një ekip efektivësh të policisë italiane e shoqëroi gjithë kohën, derisa  anija hyri në ujrat shqiptare u morën dorëzim nga policia jonë kufitare.

Kontigjenti i parë i emigrantëve që Italia nisi drejt Shëngjinit, është i përbërë nga 16 persona, të gjithë burra, me origjinë nga Egjipti dhe Bangladeshi të cilët u shpëtuan në det të dielën e 13 tetorit.

Ata i janë nënshtruar procedurave të kontrollit dhë të regjistrimit.

Më pas të gjithë do të transportohen drejt kampit të Gjadrit, i cili është funksional që prej javës së shkuar. Ndonëse qendra ka kapacitet për 3000 emigrantësh, ajo do të fillojë me 400 vetë dhe më pas numri pritet të rritet në 880.

Kampi është i ndarë në disa seksione të veçanta, ku përfshihet edhe izolimi për personat që kryejnë krime apo seksioni i trajtimit procedurial para se të jepet apo refuzohet azili. Nëse aplikimi hidhet poshtë, emigrantët riatdhesohen në vendet e tyre.

Sipas marrëveshjes për një periudhë pesëvjeçare, Shqipëria pritet të pranojë deri në 36.000 emigrantë në vit, ndërsa të dyja qendrat do t’i kushtojnë Italisë 670 milionë euro. Objektet drejtohen nga Italia dhe janë nën juridiksionin italian, ndërsa rojet shqiptare ofrojnë siguri të jashtme.

Read Entire Article