Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky u takua këtë të premte me udhëheqësit më të lartë ushtarakë të Shteteve të Bashkuara dhe të më shumë se 50 vende partnere në Gjermani, për të ushtruar trysni për më shumë mbështetje.
“Unë u jam mirënjohës të gjithë partnerëve për faktin se samiti i NATO-s në Uashington u shënua nga vendimet për sistemet e mbrojtjes ajrore për Ukrainën. Megjithatë, shumë sisteme ende nuk janë dorëzuar,Kjo është ajo për të cilën është rënë dakord dhe kjo është ajo që nuk është zbatuar plotësisht. Bota ka mjaft sisteme të mbrojtjes ajrore për të siguruar që terrori rus të mos ketë rezultate. Ju bëj thirrje që të jeni më aktiv në këtë punë me ne për mbrojtjen ajrore”, tha Zelensky.
Ndërkohë Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin njoftoi se Uashingtoni do të sigurojë 250 milionë dollarë ndihmë të re ushtarake për Ukrainën.
“Ne e dimë se keqdashja e Putinit shkon thellë. Moska vazhdon ofensivën e saj në lindje të Ukrainës, veçanërisht rreth Pokrovsk. Putini po ripozicionon trupat e tij në Kursk. Dhe Kremlini vazhdon të bombardojë qytetet e Ukrainës dhe të synojë civilët.Kam kënaqësinë të them se Presidenti (Joe) Biden do të shpallë sot një paketë shtesë të ndihmës për sigurinë prej 250 milionë dollarësh për Ukrainën. Ajo do të rritet në më shumë aftësi për të përmbushur kërkesat në zhvillim të Ukrainës”, tha Austin.
Sakaq sulmet e fundit ajrore vdekjeprurëse nga Rusia, kanë ripërtërirë thirrjet e Presidentit Zelensky drejtuar Shteteve të Bashkuara dhe vendeve tjera perëndimore që të heqin kufizimet për të goditur më thellë brenda Rusisë.