Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy paralajmëroi se Rusia mund të intensifikojë ofensivën, por shtoi se Kievi do të pranonte vetëm një “paqe të drejtë”, pavarësisht thirrjeve të Perëndimit për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit. Komentet zoti Zelenskyy i bëri gjatë një interviste me agjencinë franceze të lajmeve ‘AFP’.
Ai përsëriti gjithashtu lutjet drejtuar aleatëve për të dërguar më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe avionë luftarakë në ndihmë të Ukrainës.
Ndërsa të shtunën hyri në fuqi një ligj për mobilizim ushtarak, zoti Zelenskyy pranoi problemet me personelin dhe “moralin” në radhët e ushtrisë ukrainase, që ka pasur shpesh probleme me armatimet e kapacitetet njerëzore.
Muajt e fundit trupat ruse kanë bërë përparime graduale, duke marrë kontrollin e territoreve të mëdha përgjatë kufirit verilindor, në një ofensivë që filloi më 10 maj në rajonin e Kharkivit.
Por zoti Zelenskyy tha të premten se Ukraina do të vazhdojë të mbajë pozicionet e saj mbrojtëse dhe do të ndalojë çdo përparim të madh nga ana e ushtrisë ruse.
“Askush nuk do të dorëzohet“, tha zoti Zelenskyy, i cili ka qenë fytyra e rezistencës së Ukrainës kundër Rusisë, që nga fillimi i sulmit në shkurt të vitit 2022.
‘Situatë e pakuptimtë’
Presidenti Zelenskyy hodhi poshtë thirrjen e presidentit francez Emmanuel Macron për një armëpushim gjatë Lojërave Olimpike që mbahen këtë vit në Paris, duke thënë se kjo do t’i jepte “përparësi” Moskës, duke i dhënë kohë për të lëvizur trupat dhe artilerinë.
Ai tha se Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë kishin “të njëjtat vlera”, por shpesh “pikëpamje të ndryshme”, veçanërisht se si mund të duket fundi i konfliktit.
“Të gjithë duan të gjejnë një mënyrë që lufta të përfundojë sa më shpejt“, tha ai, kur u pyet mbi mundësinë e një skenari për t’i dhënë fund konfliktit.
Presidenti Zelenskyy i kërkoi Kinës dhe vendeve në zhvillim të marrin pjesë në një takim të nivelit të lartë mbi paqen mes dhjetëra udhëheqësve të tjerë, takim që pritet të mbahet në një vend neutral si Zvicra muajin e ardhshëm. Moska nuk është e ftuar në takim.
Ai tha se lojtarët globalë si Kina kanë ndikim tek Rusia.
“Dhe sa më shumë vende të tilla të kemi në anën tonë, në anën e atyre që kërkojnë t’i jepet fund luftës, aq më shumë Rusia do të shkojë në këtë drejtim“, tha ai. /VOA