Zonja e Parë, Armanda Begaj, ishte pjesë e festës tradicionale të Abetares në shkollat e kryeqytetit: “Qemal Cena”, “Bashkim Berisha” dhe “Lasgush Poradeci”.
Ndërsa kremtoi këtë ditë të shënuar me të vegjlit, mësuesit dhe prindërit e tyre, Zonja Begaj i falënderoi nxënësit për gëzimin që sollën me programet e tyre festive tradicionale të përfundimit të Abetares.
Ajo i përgëzoi nxënësit e klasave të para për mbylljen e një etape të rëndësishme për shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe.
Bashkë me urimet për përfundimin e librit të parë shkollor dhe dhënien e certifikatave të Abetares, Zonja Begaj dhuroi libra edukativë dhe argëtues për të vegjlit në vijim të nismës për nxitjen e leximit shqip.
Gjithashtu, ajo shprehu falënderime ndaj prindërve për përkushtimin dhe ndaj mësuesve për pasionin në ushtrimin e detyrës, duke inkurajuar vijimin e kësaj fryme edukimi dhe mësimi edhe në të ardhmen.
Vizita në shkollën “Bashkim Berisha” në Ndroq ishte një premtim i mbajtur për Zonjën Begaj. Ajo u takua herën e parë me këta fëmijë në nisje të vitit të ri shkollor dhe, sikurse u kishte premtuar më 11 shtator 2023, shkoi sërish për të ndarë me ta gëzimin e festës së Abetares.