Dita Ndërkombëtare e Dritës festohet çdo vit më 16 maj, në përvjetorin e funksionimit të parë të suksesshëm të lazerit, në vitin 1960 nga fizikani dhe inxhinieri, Theodore Maiman.
Kjo ditë është një thirrje për të forcuar bashkëpunimin shkencor dhe për të shfrytëzuar potencialin e tij për të nxitur paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm, shkruajnë mediat e huaja.
Sipas UNESCO-s, Dita Ndërkombëtare e Dritës thekson rolin që luan drita në shkencë, kulturë dhe art, arsim dhe zhvillim të qëndrueshëm dhe në fusha të ndryshme si mjekësia, komunikimi dhe energjia.
Studimi i dritës ka çuar në burime alternative premtuese të energjisë, përparime mjekësore që shpëtojnë jetë përmes teknologjisë dhe trajtimet diagnostikuese, internetin me shpejtësi të dritës dhe shumë zbulime të tjera që kanë revolucionarizuar shoqërinë dhe kanë formësuar të kuptuarit tonë për universin.
Këto teknologji u zhvilluan përmes shekujsh kërkimesh mbi vetitë e dritës, duke filluar me veprën kryesore të Ibn Al-Haytham, Kitab al-Manazir, “Libri i Optikës”, botuar në 1015 dhe duke përfshirë punën e Ajnshtajnit në fillim të shekullit të 20-të, e cila ndryshoi mënyrën se si mendojmë për kohën dhe dritën.
Pa dritë, planeti ynë do të ishte vetëm një vend i ftohtë dhe djerrë. Në të vërtetë, ku ka dritë, shpesh ka jetë me bollëk. Megjithatë, drita përfaqëson edhe më shumë për njerëzimin. Drita shkon dorë për dore me dijen; është një lente përmes së cilës mund të shihet dhe të kuptohet bota.