Partia Demokratike nderoi sot një prej figurave të saj më të rëndësishme Azem Hajdarin.
Në 26-vjetorin e vrasjes, kryetari i PD Sali Berisha i ngujuar në banesën e tij, shfrytëzoi rrjetet sociale për të kujtuar rolin e Azem Hajdarit në vitet ‘90, ndërkohë që figurat kryesore të Partisë Demokratike së bashku me familjarët zhvilluan homazhe pranë memorialit të ngritur në vendin ku Azem Hajdari u vra në 12 shtatorin e vitit 1998.
Numri 2 i PD shfrytëzoi ceremoninë për tu bërë apel qytetarëve të ngrihen kundër qeverisë Rama njësoj siç u ngritën 3 dekada më parë.
“Revolta popullore po zien, do të duhet që ne t’i prijmë asaj. Ka vetëm një rrugë që e kemi deklaruar, qeveria teknike për të shkuar vendi në zgjedhje të lira dhe demokratike. Shqiptarët nuk mund të pranojnë që në vitin 2025 të mos ketë votë të lira”, tha Noka.
Në vitin 90 Azem Hajdari ishte një prej figurave kryesore të lëvizjes studentore që çoi në rrëzimin e diktaturës komuniste. Ai është kryetari i parë i Partisë Demokratike dhe një prej figurave që dominuan jetën politike të vendit deri në 12 shtatorin e vitit 1998 kur mbeti i vrarë para selisë së PD./vizionplus.tv