A janë dembelosur gjermanët?

5 months ago 18

Një vështrim në shifrat e organizatës së vendeve të industrializuara, OECD, të befason. Sipas saj, në vitin 2022 një amerikan i zakonshëm ka bërë 1800 orë pune në vit, kurse çdo gjerman i zakonshëm ka bërë vetëm 1340 orë. Kjo nuk do të thotë se nga këto shifra duhet nxjerrë përfundimi, se gjermanët janë bërë dembelë, thotë eksperti i tregut të punës, Enzo Weber. Ai merret me studime në Institutin për tregun e punës dhe profesioneve (IAB), një institut i Agjencisë gjermane të Punës.

“Gjermania ka kuotë të lartë të punësimit të grave në krahasim me shumë vende të tjera”, thotë Weber. Rreth një në dy gra punon me orar të shkurtuar. Kjo gjë bën që në llogaritje të ulet mesatarja e kohës së punës në një vit.

Përshembull: Kur dy burra punojnë në një vend dhjetë orë, atëherë koha mesatare e punës është dhjetë orë (10+10):2=10. Kur në një vend tjetër dy burra punojnë dhjetë orë dhe një grua punon katër orë, atëherë mesatarja e kohës së punës bëhet 8 orë: (10+10+4):3=8.

Gjermanët punojnë më shumë, jo më pak

“Shifrat pra nuk do të thonë se në Gjermani punohet më pak”, thotë Weber. “Përkundrazi, punohet më shumë sepse përndryshe këto gra nuk do të ishin fare pjesë e statistikave.” Edhe OECD thotë, se të dhënat janë të papërshtatshme për të bërë krahasime në nivel ndërkombëtar.

Në Gjermani kanë ikur kohërat kur burrat punonin me orar të plotë dhe gratë qëndronin në shtëpi. Ndërkohë 77 përqind e grave punojnë, kështu që pjesa e grave në botën e punës është rritur shumë 30 vitet e fundit, edhe nëse shumë prej tyre punojnë me orar të shkurtuar.

Dëshira për më pak punë është prezente

Por gjermanët do të donin të punonin më pak. Këtë e kanë treguar sondazhet. Sipas një studimi të IAB, gati gjysma e grave që punojnë me orar të plotë do të donin ta ulnin kohën e punës në gjashtë orë. Tek burrat gati 60 përqind do të donte të punonte 5,5 orë më pak. Këto dëshira ekzistojnë prej dekadash dhe me kalimin e kohës ato nuk kanë ndryshuar.

Edhe brezi Z është më i mirë se nami që ka

Sa i përket dëshirës për të punuar, nami i të ashtuquajturit brezi Z, pra të rinjtë që kanë lindur në vitet 1995 deri 2010, është shumë i keq. Ata duan sa më shumë kohë të lirë dhe rroga sa më të larta. Por ky është një paragjykim shpesh i gabuar. Enzo Weber nuk e konfirmon një gjë të tillë. Për shumicën e brezit Z suksesi në punë është i rëndësishëm. Në këtë pikë ata nuk dallojnë shumë nga brezat e mëparshëm, thotë Weber.

“Unë mendoj se të gjithë duan sa më shumë kohë të lirë dhe rroga të larta. Nuk mund të jesh kundër kundër kësaj. Ajo që shohim ne tek të rinjtë është se nuk ka zhvillime të pazakonta të dëshirave për kohën e punës, nuk ka rënie të pazakontë të angazhimit në punë, nuk ka më shumë ndryshime të vendit të punës se sa të rinjtë e mëparshëm.”

Mundësim të javës me X-ditë

Përveç kësaj, modelet e jetës së gjermanëve kanë ndryshuar ndërkohë. „Ekonomia shtëpiake vetëm me një rrogë e periudhës së bumit ekonomik gjerman, pothuajse nuk ekziston më,” thotë Weber. Ndërkohë zakonisht punojnë të dy partnerët dhe prandaj kanë nevojë për një fleksibilitet të caktuar. „Secili duhet të ketë mundësi të zgjedhë i lirë në cilën fazë të jetës punon më shumë,” mendon Weber. “Ne nuk kemi më nevojë për javën me 5 ose 4 ditë pune, por për javën me X ditë pune dhe fleksibilizim të punës në gjithë periudhën e jetës.” Me modelet e punës së fleksibilizuar mund të motivohen edhe njerëzit që kanë dalë në pension, që të punojnë sërish.

Pandemia e Coronës tregoi se modeli fleksibël dhe mobil i kohës së punës mund të funksionojë, mendon Weber. Ky zhvillim nuk mund të kthehet mbrapsht. Dhe ka kuptim që puna të organizohet në mënyrë të tillë, që njerëzit të jenë të kënaqur me të.

Zhvendosje postesh drejtuese në tregun e punës

Kërkesat për kohë pune më të shkurtër dhe më fleksibël janë më të realizueshme në kohërat e mungesës së forcave të specializuara dhe me përvojat e fituara gjatë kohës së pandemisë, se sa në fillimin të mijëvjeçarit të ri, kur kishte papunësi të madhe.

Por si përshtatet “më pak puna” me nevojën në rritje për forca të specializuara dhe dëshirën për të mos pasur rënie të mirëqënies? Vetëm prej zhvillimeve demografike pritet që deri në vitin 2035, tregun gjerman i punës të ketë shtatë milionë njerëz më pak.

Faktor kyç- produktiviteti

Një zgjidhje, nëse numri i orëve të punës nuk rritet ose madje ulet, është cilësia në punë, pra rritja e produktivitetit. Enzo Weber mendon se nuk ka kuptim që të ushtrosh presion mbi njeriun për të dhënë kohën maksimale në punë. Ai mendon se ka më shumë kuptim, të rritet cilësia në punë nëpërmjet shkollimit, nëpërmjet investimeve në digjitalizim, investimeve në inteligjencën artificiale dhe kthimin e ekonomisë në ekonomi ekologjike.

E rëndësishme është një politikë proaktive kualifikimi, mendon Weber. Nuk duhet pritur deri sa dikush të mbetet në mes të rrugës për shkak të ndryshimeve strukturore, për të filluar marrjen e masave të shpëtimit të tij. Shumë më tepër duhet që njerëzve t’u krijohet mundësia që të jenë në gjendje të marrin vetë iniciativa dhe të luajnë vetë një rol aktiv.

Rritja e produktivitetit është ngadalësuar

Aktualisht gjendja nuk është shumë e mirë, sa i përket produktivitetit. Weber ankohet, se këtu kemi stanjiacion. Nga viti 1997 deri në vitin 2007 në Gjermani rritja e produktivitetit ka qenë 1,6 përqind, thotë një studim i institutit McKinsey Global (MGI). Në periudhën nga 2012 deri 2019, kjo shifër është përgjysmuar dhe ka arritur në 0,8 përqind.

Kjo ka të bëjë mes të tjerash me krijimin e vendeve të reja të punës me produktivitet të ulët, si përshembull në shërbimet me personel intensiv. Në kujdesin shëndetësor, edukim ose në fushën e shëndetësisë rritja e produktivitetit është pjesërisht e mundshme.

Produktiviteti gjithë-ekonomik ka rënë edhe sepse koniunktura është dobësuar dhe shumë sipërmarrje vazhdojnë të mbajnë punonjësit në punë megjithëse mungojnë forcat e specializuara, duke mos ulur kështu shpenzimet. Kjo gjë ul produktivitetin. Edhe në temat e investimeve në zhvillimin teknologjik, digjitalizimin dhe transformimin ekologjik mund të bëhet më shumë, thotë Weber, që kryeson këshillin e digjitalizimit të BDA (Ligës federale të shoqatave të punëdhënësve).

Pavarësisht zhvillimeve në produktivitet, ekzistojnë edhe shumë forca pune me potencial të pashfrytëzuar. „Kjo ka të bëjë jo vetëm me punësimin e grave dhe rritjen e kohës së punës për njerëzit që punojnë me orar të shkurtuar, por edhe me migrantet dhe migrantët e shumtë dhe gjermanët, që nuk kanë përfunduar shkollën e përgjithshme ose atë profesionale dhe të cilëve shpesh nuk u janë dhënë shanset për të qenë pjesë produktive e botës së punës,” mendon Marcel Fratzscher nga Instituti gjerman për studime ekonomike, (DIW) në Berlin. /DW

Read Entire Article