Të dhënat flasin se një strukturë agroturistike punëson 9 persona me kohë të plotë si dhe 8 të tjerë shtesë në periudhë sezoni. Në një zonë rurale një investim i tillë konsiderohet me peshë për të punësuar të rinjtë e fshatit. Shpresim Domi, ekspert i fushës, gjatë një interviste për “E-ZONE” është i mendimit se nxitja e investimeve të tilla do të jetë një amortizator i fenomenit të braktisjes së fshatit.
“Agroturizimi është një mundësi e mirë punësimi për të rinjtë në zonat rurale. 17 të punësuar në total është një shifër që i jep shtysë çdo individi që jeton në fshat të ketë mundësi të marrë një pagë, relativisht të mirë. Unë jam i mendimit se nëse qeveria do t’i nxisë më tej me mbështetje dhe me lehtësira investime të tilla, ato do të amortizojnë fenomenin e braktisje së fshatit”, tha Domi në “E-ZONE”.
Sipas Domit Shqipëria tashmë po njihet si një vend turistik, por pse të mos njihet dhe si një Shqipëria agroturistike.
“Mesatarisht një agroturizëm vizitohet në vit nga 7600 persona. Nëse do të marrim në konsideratë numrin e subjekteve të tilla i bie që këto struktura kanë mirëpritur mbi 1 milion turistë në vitin që lamë pas. Kjo shifër është e konsiderueshme. Ndaj sfida është pse të mos njihet vendi ynë si një pol agroturistikë. I kemi të gjitha mundësitë që të konkurrojmë në këtë drejtim”, u shpreh Domi gjatë emisionit “E-ZONE” në Vizion Plus.