Akuzat që kanë dalë në dritë për miliarderin e ndjerë Mohamed Al Fayed, me pesë ish-punonjëse femra që e akuzojnë atë për përdhunim dhe 20 të tjera pretendojnë se ai i ka abuzuar seksualisht me to gjatë kohës së tij si pronar i Harrods, kanë ngjallur shumë zemërim dhe reagime.
Në një konferencë për shtyp, avokatët që përfaqësonin viktimat e përshkruan Al Fayed si një “përbindësh”, duke e krahasuar atë me abuzuesit seksualë Jimmy Saville, Jeffrey Epstein dhe Harvey Ëeinstein. Sipas avokatit Bruce Drummond, Al Fayed krijonte panik dhe terror në punonjësit e tij të pambrojtur, duke përdorur pushtetin e tij për kënaqësi seksuale.
Lexo edhe :
Related Posts
Një nga gratë që e akuzojnë atë, e njohur si Natasha, e përshkroi Al Fayed si një grabitqar manipulues që përdori pozicionin e tij për të abuzuar me punonjëset.
“Ai më kërkoi ta quaja “baba” dhe më bëri të ndihesha e sigurt pranë tij, kur në realitet kisha hyrë në një vorbull gënjeshtrash dhe abuzimesh”, tha Natasha. “Ai më detyroi të bëj analiza për AIDS dhe sëmundje seksualisht të transmetueshme pa pëlqimin tim”.
Avokatët e viktimave kërkuan që Harrods të marrë përgjegjësinë për dështimin për të mbrojtur punonjësit e saj dhe të japë dëmshpërblim për viktimat.
Në një zbulim tronditës, avokatja Maria Mulla ka akuzuar sigurinë e Harrods për kërcënime të drejtpërdrejta kundër stafit. Sipas Mulla, ekipi i sigurisë së Al Fayed i kërcënoi punëtorët duke thënë “ne e dimë se ku jetoni ju dhe familja juaj”. Këto kërcënime shpesh shoqëroheshin me ulje në detyrë ose akuza të rreme, kështu që viktimat detyroheshin të jepnin dorëheqjen.
Një grua që kishte guximin të raportonte me shkrim ngacmimin e saj seksual u kërcënua disa orë më vonë nga shefi i sigurimit të Harrods, John Macnamara, i cili i tha asaj: “Ti je vajzë e vetme në Londër, dikush mund të të sulmojë nga shkurret ose të ketë një aksident i papritur” /vizionplus.tv