AMGKP ka arritur të mbledhë në periudhën mars-korrik 2024 mbi 831 milionë lekë detyrime të pakthyera

2 months ago 32

Agjencia për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera (AMGKP) ka arritur të mbledhë në periudhën mars-korrik 2024 mbi 831 milionë lekë detyrime të pakthyera nga palët e treta sa i përket kredive të akorduara përmes skemave të garancive shtetërore.

Kjo shifër është mbi dhjetë herë më e lartë sesa shuma e mbledhur përgjatë gjithë vitit 2023. Bazuar në raportimet e agjencisë, rezulton se për vitin 2023 janë mbledhur vetëm 80 milionë lekë. Performanca e agjencisë për vitin 2022 në mbledhjen e kredive të këqija rezulton të jetë edhe më e dobët, kjo pasi gjatë këtij viti u mblodhën vetëm 62 milionë lekë.

Agjencia është institucion në varësi të Ministrisë së Financave dhe me ndryshimet ligjore të ndërmarra në fund të vitit 2023 asaj iu shtuan përgjegjësitë, duke përfshirë edhe mbledhjen e kredive të akorduara gjatë periudhës së pandemisë përmes skemave të garancisë shtetërore.

Gjatë tre-mujorit të dytë të vitit 2023, përveç rritjes së ndjeshme të disbursimeve në llogaritë e AMGKP, vihet re edhe një rritje e korrespondencës shkresore mes institucioneve, si shoqëritë e mikrofinancës, posta shqiptare, Kadastra, noterët, si edhe përmbaruesit, kjo në funksion të përshpejtimit të procedurave për mbledhjen e kredive të papaguara.

Pas largimit të drejtorit të përgjithshëm Eri Koshaj në fillim të këtij viti, i cili u përfshi në një konflikt me bashkëshortin e Ministes Ibrahimaj dhe është aktualisht në hetim, Agjencia për menaxhimin e garancisë dhe kredive të pakthyera u drejtua që nga fundi i muajit shkurt, deri në mes të muajit gusht nga Sekretarja e Përgjithshme e Financave në atë periudhë Risena Xhaja, në cilësinë e drejtorit të komanduar.

Rezulton që pikërisht gjatë kësaj periudhe shumat e mbledhura nga institucioni si kredi të cilësuara me probleme dhe të pakthyera, janë të konsiderueshme. Pas largimit të Xhajës nga Financat, aktualisht AMGKP drejtohet nga sekretari i ri i përgjithshëm i këtij institucioni, Besmir Beja, edhe ai në cilësinë e drejtorit të komanduar.

Read Entire Article