Një 43-vjeçar, anëtar i një grupi kriminal, është vënë në pranga nga policia e Elbasanit.
Bëhet fjalë për shtetasin Imer Manahasa, banues në Peqin, i dyshuar për kryerjen e veprave të rënda penale.
“Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një 43-vjeçar që posedonte pa leje, në ambientet e biznesit në pronësi të tij, armë zjarri, armë gjahu, municion luftarak, si edhe lëndë narkotike, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në disa ambiente (pikë inertesh, varrezë makinash, stallë bagëtish)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Si rezultat i kontrolleve kanë gjetur të fshehura 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjuetie, 1 armë sportive, municion luftarak, 1 predhë, 1 thikë, një sasi lënde narkotike kokainë dhe 2 traga automjeti false, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Më tej, shërbimet e Policisë zbuluan se poseduesi i armëve dhe i sendeve të kundërligjshme, kishte ndërtuar një objekt, pa leje.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Imer Manahasa, 43 vjeç, banues në Peqin, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Punësimi i paligjshëm”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose formulareve”.
Gjithashtu, për këtë rast, u shoqëruan në ambientet e Policisë, disa shtetas të tjerë./vizionplus.tv