Ndërsa prej kohësh po realizon investime rekord dhe armatime të mëdha për ushtrinë e Serbisë, Aleksandër Vuçiç alarmohet se Kosova po mbështetet ushtarakisht nga vendet perëndimore.
Duke folur në një aktivitet në Beograd, Vuçiç tha se kjo po bëhet në mënyrë të paligjshme nga perëndimi që sipas tij do të mbajnë përgjegjësi.
“Jam duke menduar se si të nis hetime për armatosjen e të ashtuquajturave Forca të Sigurisë së Kosovës dhe atyre që po ndihmojnë në këtë armatosje, në kundërshtim me Rezolutën 1244. Dua të hetoj se kush e shkeli Kartën e Kombeve të Bashkuara, dhe si guxuan ta bëjnë atë duke menduar se nuk do të përgjigjen”, tha Vuçiç.
Deklarata e Vuçiç vjen pasi Departamenti amerikan i Shtetit miratoi shitjen e raketave Javelin për Kosovën, me një vlerë prej 75 milionë dollarësh.
Më tej ai akuzoi opozitën dhe mediat pro opozitare serbe se janë në shërbim të perëndimorëve.
“Atyre vërtet nuk u intereson se çfarë bëjnë të huajt kundër Serbisë, çfarë po bëjnë shqiptarët, çfarë po bën Kurti kundër vendit tonë. Atyre iu intereson se si ta dënojnë Serbinë, sepse disa serbë donin të mbronin shtëpitë e tyre”, tha presidenti serb.
Pas konfirmimit të pushtetit të tij përmes zgjedhjeve shumë të diskutuara të dhjetorit, Vuçiç i ka dhënë rëndësi të madhe fuqizimit të ushtrisë së tij duke premtuar dhe një buxhet që kap vlerën e 1.3 miliard euro.
Madje në fillim të këtij muaji, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë ka kërkuar edhe rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, 23 vite pas heqjes së tij./vizionplus.tv