Nga Olta Blaceri
Komisioni hetimor për koncensionin e check up dhe sterilizimit dështoi të dëgjojë një prej dëshmitarëve më të rëndësishëm, ish-ministrin e Shëndetësisë në qeverinë Rama 1, Ilir Beqaj.
Në orën 10.00 paradite Beqaj erdhi nga burgu me pranga në duar në ambientet e Kuvendit për të sqaruar rolin e tij në lidhjen e dy kontratave, atë të check up dhe sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale por demokratët dhe socialistët nuk gjetën gjuhën e mirëkuptimit për të dëgjuar dëshminë e ish-ministrit të shendetësisë.
Për më shumë se 8 orë komisioni u përfshi në debate nëse duhet lejuar apo jo dëshmitari të prezantojë me poëer point ecurinë e dy koncesioneve.
Sipas demokratëve ish-ministri ka të drejtë vetëm tu përgjigjet pyetjeve, por sipas shumicës socialiste ai duhet të ketë të gjithë hapësirën për të parashtruar mendimin e tij si të gjykojë ai.
Pjesë nga debati:
Beqaj: Kam që në orën 7, ju lutem më lejoni të flas të shpjegoj si kanë qenë autoklavat
Vokshi: Jo jo, ti ke të drejtë të japësh deklaratë jo të bësh prezantim.
Mbledhja u ndërpre disa herë por asnjë prej palëve nuk lëvizi nga pozicioni fillestar, socialistët këmbëngulën qe ish-ministri Beqaj ka të drejtë të bëjë prezantimin ndërsa demokratët theksuan se Ilir Beqaj mund të bëjë vetëm një deklarate dhe më pas tu përgjigjet pyetjeve.
Ndreca: Mos ti lësh të drejtën për të folur zotërisë në fjalë. Jo i themi do dëshmosh sipas kufizimeve që ne caktojmë, fyerje e rëndë e së drejtës kushtetuese e çdo individi në republikën e Shqipërisë.
Vokshi: Është krejt e lexueshme lëvizja juaj, e nxorët me pranga me duar vetëm për të bërë shoë ndërkohë që ju nuk doni ta vijoni, nuk doni të merrni dëshminë, doni të fshini vjedhjet.”
Në mbrëmje ish-ministri i Shëndetësise Ilir Beqaj u kthye në burg pa e dhënë dëshminë e tij, ndërkohë Komisioni i Shëndetësisë do të mblidhet sërish ditën emërkurë në orën 10:30 me të njëjtin rend dite.
Për koncesionin e sterilizimit Ilir Beqaj është marrë i pandehur nga SPAK-u me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Por në burg ish-deputeti socialist ndodhet pasi SPAK-u po e heton për korrupsion në lidhje me fondet e Agjencisë së Koordinimit të ndihmës së huaj, të cilën e drejtonte që prej vitit 2021. /Vizion Plus.tv/