Ministrja Anila Denaj thotë se fondet për bujqësinë në vitin 2025 do të rriten me 4%, por për deputetët, kjo shifër është sërish e pamjaftueshme për ta nxjerrë sektorin nga kriza.
“Bujqësia është në rënie edhe në raport me mbështetjen që ka pasur një vit më parë. Nuk e di sesi ministria nuk e ka luajtur rolin e saj që të marrë atë kontribut që i takon. Bujqësia sot në Shqipëri është në ditën e saj më të keqe në 34 vite. Mbështetje simbolike, është më pak se Kosova, Maqedonia, Mali i Zi. Pse bujqësia merr çdo vit e më pak se sektorët e tjerë”, tha Xhelal Mziu, deputet i PD
“Buxheti i propozuar arrin në 15 miliardë lekë, një rritje prej afro 4% në krahasim me buxhetin e vitit 2024. Me anë të këtij buxheti do të mundësohet financimi i politikave si Zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë, Siguria Ushqimore, Zhvillimi i qëndrueshëm i peshkimit dhe ekonomisë blu dhe Zhvillimi i kapaciteteve administrative dhe institucionale, bashkëpunimi i aktorëve, inovacioni dhe digjitalizimi. 4.4 miliardë lekë nga buxheti do të shkojnë për mbështetje direktë për fermerët. Me Aktin Normativ të fundvitit, buxheti Bujqësisë për skemat e mbështetjes pritet të jetë 52 milion euro dhe në 2025 projektohet minimalisht 55 milion euro”, deklaroi ministrja Denaj
Në 2025, ministrja Denaj njoftoi se Skema Kombëtare e Mbështetjes për fermerët do të ndryshojë, por sqaroi se nuk do të rikthehemi te mbështetja për njësi prodhimi.
“Kemi nevojë të rishikojmë disa elementë për skemën kombëtare vitin tjetër. Duhet të shikojmë si të rrisim produktivitetin e skemës dhe si të shkojkmë në elementë të rinj të skemës që na përafrojnë me BE. Ne kemi diskutuar pse nuk ofrohet lekë për litër. Nëse shkojmë në këtë drejtim jemi në drejtim të kundërt të direktivës së BE. Ne duam të përmirësojmë skemën duke marrë parasysh frymën e BE”, shtoi ajo.
Në sezon të vjeljes së ullirit, ekspertët italianë pritet të ofrojnë ekspertizën e tyre dhe të ndihmojnë fermerët shqiptarë për të ruajtur cilësinë e vajit.
“Ne kemi një grup tejknik për të vijuar ë shumë këtë bashkërendim të punës, që prodhimi të shkojë drejt punës cilësore, enëve të inoksit sepse Italia sot është kthyer në një treg shumë të mirë të thithjes së vajit të ullirit. Kjo është një m,undësi shumë e mirë për fermerët. Po shohim një marrëveshje me Italinë që një fond që ne e kemi të dedikuar për asistencë teknike, ta disbursojmë për mjete inoksi dhe jo më për këshillim”, përfundoi Denaj.
Sa u takon fondeve të IPARD të bllokuara për Shqipërinë, Anila Denaj shpjegoi se në fund të vitit tjetër do të ketë një audit nga ekspertët e huaj, për të vendosur më pas për zhbllokimin ose jo të fondeve. /vizionplus.tv