Avionët izraelitë ndërmorën më shumë se 80 sulme ajrore brenda 30 minutave mëngjesin e kësaj të hëne në Liban duke lënë të vrarë një persona, ndërsa 17 të tjerë janë plagosur.
Teksa situata po përkeqësohet nga dita në ditë zëdhënësi i ushtrisë izraelite u ka bere thirrje civilëve të largohen nga zonat ku është i vendosur grupi militant. Autoritetet e Tel Avivit nuk kanë përjashtuar as ndërhyrjen tokësore.
“Ne u bëjmë thirrje civilëve nga fshatrat libaneze të vendosura brenda dhe pranë ndërtesave dhe zonave të përdorura nga Hezbollahu për qëllime ushtarake, të tilla si ato që përdoren për ruajtjen e armëve, që menjëherë të largohen nga rreziku për sigurinë e tyre. Së shpejti ushtria do të angazhohet në sulme të gjera, të sakta, kundër objektivave terroriste që janë ngulitur gjerësisht në të gjithë Libanin. Ne do të bëjmë gjithçka që nevojitet në mënyrë që të kthejmë banorët e evakuuar të Izraelit verior në shtëpitë e tyre të sigurt”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Danier Hagari.
Nga ana tjetër presidenti amerikan Joe Biden shprehu sot shqetësimin për tensionet në Lindjen e Mesme për shkak të frikës se përshkallëzimi i sulmeve mes paleve mund të çojë në një konflikt më të gjerë rajonal.
“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar shpërthimin e një konflikti më të gjerë. Dhe ne po punojmë shumë për ta bërë këtë”, tha Biden.
Grupi militant Hezbollah është përballur me trysni të madhe javët e fundit, pasi pajisjet e komunikimit të përdorura nga pjesëtarët e saj shpërthyen duke lënë pas shumë të vdekur e të plagosur.
Për këtë sulm kibernetik Hezbollah ka fajësuar Tel Avivin, i cili as nuk e ka pranuar e as mohuar përgjegjësinë./vizionplus.tv