Balluku inspekton punimet në nënstacionin elektrik të Lezhës: Investimet i përgjigjen zhvillimit të zonës

2 hours ago 22

Nënstacioni elektrik i Lezhës po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, i cili do të dyfishojë kapacitetet ekzistuese të tij duke bërë të mundur akomodimin e gjithë nevojat të qytetit, si dhe rritjen e sigurisë së furnizimit me energji për banorët e zonës dhe bizneset, në mënyrë të veçantë ato të sektorit të turizmit. Ky nënstacion është ndërtuar në vitin 1960 dhe që prej asaj kohe ka pasur ndërhyrje të pjesshme, por asnjëherë një rikonstruksion të plotë.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtori i OSSH, Blendian Dalipi dhe kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu inspektoi ecurinë e punimeve në këtë objekt, të cilat fillimisht do të përqendrohen në ngritjen e nivelit të nënstacionit për shmangur përmbytjen e tij si pasojë e reshjeve intensive të shiut.

“Është nënstacioni kryesor për të gjithë qarkun e Lezhës, jo vetëm për zonën e Shëngjinit. Dhe nga ky nënstacion furnizohen sot deri në 40 mijë abonentët. Herë pas here janë bërë disa ndërhyrje të pjesshme, duke ndërruar transformatorët, por asnjëherë nuk është ndërmarrë një nisëm e tillë për të pasur një rikonstruksion total”, u shpreh drejtuesi i OSSH, Blendian Dalipi.

Zëvendëskryeministrja Balluku tha se këto investime, jo vetëm i përgjigjen fluksit aktual të zonës, por edhe zhvillimit të mëtejshëm të saj. Punimet për rikonstruksionin e nënstacionit, u shpreh Balluku, nuk do të krijojnë pengesa në furnizimin normal me energji elektrike të qytetarëve.

“Do të ketë dyfishim të kapaciteteve të nënstacionit, jo vetëm për të akomoduar të gjithë nevojat e qytetit edhe ato të zonës së Shëngjinit, duke pasur parasysh që ka një kërkesë të shtuar, por edhe planet e tjera që keni për ndërtim në zonën e bregdetit”, tha Balluku.

Në zonën e Lezhës është bërë e mundur gjithashtu rikonstruksioni i disa kabinave elektrike dhe ndërtimi i disa të rejave, ndërsa është ndërhyrë edhe për rikonstruksionin e rrjetit të tensionit të mesëm dhe atij të ulët.

“Kemi bërë edhe një planizim të investimeve ashtu siç duhet për vitin 2024 dhe çfarë është më e rëndësishme dhe kjo duhet thënë, që OSSH-ja tashmë, ashtu siç të gjitha kantieret tona të tjera, nuk zvarrit asgjë për më tepër ne jemi në presionin e kohës dhe detyrimisht kërkojmë dhe mirëkuptimin e kompanive që operojmë, pasi është shumë e nevojshme për ne që të përfundojnë të gjitha këto vepra edhe para afateve, siç është rasti i këtij nënstacioni”, u shpreh Balluku.

Kryebashkiaku Ndreu nga ana e tij duke vlerësuar investimet e realizuara dhe ato që janë në proces tha se përmes tyre janë adresuar disa prej shqetësimeve dhe kërkesave që banorët kanë ngritur.

Investimi në nënstacionin e Lezhës bën të mundur eliminimin e ndërprerjeve të energjisë për shkak të defekteve, nga mbingarkesa apo amortizimi i rrjetit të vjetër, uljen e nivelit të humbjeve, si dhe përmirëson sigurinë teknike të rrjetit në parametra teknikë bashkëkohorë.

Read Entire Article