Buxheti i ri 8.2 miliardë euro, çfarë ndodh me pagat dhe pensionet

2 hours ago 23

Nga Rajmonda Lajthia 

Buxheti i shtetit për vitin 2025 kap shifrën 8.2 miliard euro, duke u konsideruar si më i madhi ndër vite.

Qeveria ka zyrtarizuar shifrat për projektligjin më të rëndësishëm, i cili vë në shina ekonominë e një vendi.

Referuar të dhënave zyrtare totali i shpenzimeve llogaritet në 822 miliard lekë ose 50 miliard më shumë se buxheti aktual i rishikuar.

Ndërsa totali i të ardhurave  arrin  në 750 miliard lekë.

Zëri që mund të konsiderohet si një rekord historik, është ai i investimeve publike me plot 161 miliardë lekë.

Referuar dokumentit, fondet do të fokusohen më së shumti në infrastrukturën rrugore.

Tre janë kontratat koncesionare që do të mbështeten me fonde në infrastrukturën rrugore:

  • Kontrata e koncesionit për ndërtimin e Rrugës së Arbrit
  • Kontrata e koncesionit për ndërtimin e rrugës Milot – Morinë
  • Kontrata e koncesionit për ndërtimin e rrugës Orikum – Dukat, By-Pass-Porti i Jahteve

Ndërkohë që janë 11 projekte rrugore dhe hekurudhore që do të financohen:

  • Elbasan – Lekaj
  • By Pass i Elbasanit
  • Elbasan – Qafë Thanë
  • Zgjerimi i Autostradës Tiranë – Durrës
  • Berat – Ballaban;
  • Projekti i përmirësimit dhe rehabilitimit të urave me kredi të Bankës Botërore
  • Aeroporti i Vlorës (PPP)
  • Porti i Ri Porto Romano – Durrës
  • Porti i Triportit – Vlorë (PPP)
  • Hekurudha Tiranë-Durrës dhe Tiranë – Rinas
  • Hekurudha Vorë – Hani i Hotit

Sa i përket mbledhjes së të ardhurave, ato duket se do përqendrohen në miradministrim, pasi nuk ka parashikime për politika të reja fiskale.

Tatimi mbi vlerën e shtuar dhe tatim fitimi do të mbajnë dhe peshën kryesore në të ardhura, por një kapërcim në rritje pritet të vijë dhe nga taksa e ndërtesës në të gjithë vendin, për shkak të çmimeve të reja të referencës që do të aplikohen.

Qeveria ka parashikuar fondet për indeksim dhe për bonusin e pensionistëve për vitin që vjen.

Por shifrat e parashikuara nuk reflektojnë ende ndonjë politikë të re, që mund të aplikohet sa i përket rritjes së pensioneve.

Nuk parashikohet politikë e re për rritjen e pagave.

Diskutimet për buxhetin pritet të nisin në komisionet parlamentare në javën që vjen./vizionplus.tv

Read Entire Article