Reshjet e vazhdueshme të shiut vijojnë të shkaktojnë probleme në rrugët nacionale të vendit tonë. Në rrugën e Arbrit është vështirësuar sërish qarkullimi i automjeteve për shkak se në fshatin Shkallë të Xibrit vijon të bjerë baltë në asfalt.
Rënia e baltës është në mënyrë të vazhdueshme, ndonëse pastrohet nga makineritë e firmës që po ndërton këtë rrugë.
Për shkak të ujërave nëntokësor balta e cila zbret nga shpati i malit duket si një “llavë vullkani”.
Prania e baltës në këtë segment është kthyer në pengesë për qarkullimin normal të automjeteve që qarkullojnë në drejtim të Tiranës dhe Qarkut Dibër.
Drejtuesit e mjeteve shprehen se nuk është ky problemi i vetëm në këtë rrugë pasi edhe byppasi i Murrizit është i dëmtuar me prani të gropave dhe dëmtim të asfaltit anash karrexhatës. Ata kërkojnë që ndërhyrjet të bëhen edhe atje pasi rrezikojnë teksa kalojnë në të./vizionplus.tv/