Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të mbajnë sot seancën plenare të radhës.
Sipas rendit të ditës, seanca do të nis fillimisht më një interpelancë mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit të PD, Gazment Bardhi, kërkuar nga ky i fundit.
Interpelanca mësohet se ka të bëjë me dyshimet për transportin e mbetjeve të rrezikshme, toksike, të nisura nga Porti i Durrësit, drejt Kinës dhe Tajlandës.
Po ashtu, në rend dite është parashikuar dhe një interpelancë me zv.kryeministren Belinda Balluku, e kërkuar nga një grup deputetësh të PD, për ndërtimin e segmentit Thumanë-Kashar dhe aksin “Rruga e Kombit”, në lidhje me bllokimin e aksesit të qytetarëve që banojnë në zonat pranë.
Një pikë tjetër e rëndësishme e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i mandatit të Olta Xhaçkës, për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit.