Juniku ishte ndalesa e dytë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë vizitës së kësaj fundjave në Kosovë, të cilën e nisi me Deçanin.
Presidenti Begaj u prit nga Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, i cili e vlerësoi si të jashtëzakonsh kontributin e Shqipërisë për Kosovën si edhe rolin e Kreut të Shtetit në promovimin e saj.
Presidenti Begaj u shpreh se e çmon me shumë rëndësi këtë vizitë në Junik për të nderuar të rënët e luftës për çlirimin e Kosovës.
“Erdha sot në Junik për të nderuar vlerat e luftës dhe rezistencës së shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit të Sllobodan Milloshevicit”, – deklaroi Presidenti Begaj.
Presidenti i Shqipërisë nderoi me një buqetë me lule veprën e luftëtarit të UÇK-së, Edmond Hoxha, të vrarë nga forcat serbe, si dhe dëshmorët e tjerë, viktima të masakrave të vitit 1998.
Kreu i Shtetit bëri homazhe dhe vendosi kurorë lulesh në kompleksin memorial të Koshares, ku prehen dëshmorët e betejave të përgjakshme, çlirimtare dhe luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Presidenti i Shqipërisë theksoi se “Në betejën e lavdishme të Koshares u bashkëngjitën komandantët e UÇK-së pa dallim politik. Ndër ta deshmoret Agim Ramadani, Sali Cekaj dhe Xhemal Fetahaj, të cilët, Presidenti Rugova, me të drejtë, i ka nderuar si “Dëshmorë të Kosovës”.
“Lufta dhe sakrifica e dëshmorëve dhe banorëve të trevave të Junikut, Deçanit, Gjakovës dhe Pejës ka qenë unikale dhe kontributi i tyre është i jashtëzakonshëm për lirinë që gëzon sot Kosova”.