Shqipëria mbeti pa energji këtë të premte duke u përfshirë nga një situatë e pazakontë, që la pa shërbim për minuta të tërë abonentët familjarë dhe bizneset në të gjithë vendin. Që prej orës 12.20, furnizimi me energji elektrike u ndërpre në rang vendi, duke përfshirë Tiranën, Durrësin, Vlorën, Shkodrën, Kukësin, Sarandën dhe qytete të tjera.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sqaroi se shkëputja e energjisë elektrike ndodhi për shkak të rënies së sistemit 400 kilovolt të Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Nga ana e Operatorit të Sistemit të Transmetimit shpjegohet se defekti ka nisur nga linja e interkoneksionit me Greqinë, duke prekur më pas Shqipërinë, si edhe linjën e Prizrenit.
Sipas OST, volumet e larta të transmetimit si dhe temperaturat ekstreme kanë qenë shkaktarët e shkëputjes totale të linjave të transmetimit.
“Defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë dhe më pas ka vazhduar me efekt kaskadë në të gjithë vendin. Është identifikuar defekt edhe në linjën e Prizrenit.
Nga kqyrja fillestare rezulton se volumet e larta të transmetimit si dhe temperaturat ektreme kane qenë shkaktarët e shkëputjes totale të linjave të transmetimit.
OST po merr masa për rikthimin e energjisë elektrike te të gjithë konsumatorëve”, thuhet në reagimin e OST.
Pas ndërhyrjes së grupeve në terren, OSHEE njoftoi se energjia elektrike është rikthyer në nënstacionet Selitë, Traktora dhe Qendër.
Probleme në të gjithë Ballkanin
Probleme me energjinë elektrike ka pasur gjithë pjesa e Ballkanit. Mediat malazeze dhe serbe raportuan se bëhet fjalë për një “black out” në të gjithë rajonin. Radio B92 bën me dije se i gjithë Mali i Zi nuk ka energji elektrike, po ashtu edhe jugu i Kroacisë bashkë me Bosnjen dhe Kosovën. Për pjesën tjetër të Ballkanit, mësohet se problem ka pasur edhe në nënstacionin e Podgoricës, duke lënë gjithë Rajonin pa energji elektrike.
Problemet e shkaktuara deri më tani nuk e kanë një shkak. Dyshimet janë që të kenë ndikuar temperaturat e larta, të cilat kanë përfshirë gjithë Europën, por jo vetëm, gjatë dy ditëve të fundit.
Ministri i Energjisë dhe Minierave në Malin e Zi Sasha Mujoviç deklaroi se problemi i ndërprerjeve të energjisë elektrike është i natyrës rajonale dhe e quajti dështim rajonal, citon Radio Televizioni i Malit të Zi.
“Vendet e rajonit janë pa energji elektrike, po flasim për Shqipërinë, Kroacinë dhe Bosnje-Hercegovinën”, thotë ai.
Ai shton se operatorët e sistemit të transmisionit janë të fokusuar maksimalisht, edhe pse për momentin nuk dihet ende se ku është faji.
“Ne po punojmë për normalizimin e situatës dhe rivendosjen e sistemit”, tha ai.
Mendohet se kjo ka ndodhur për shkak të një ngarkese të madhe.
“Konsumimi është rritur ndjeshëm për shkak të temperaturës së lartë. Në një situatë me temperatura të larta ndodh që ftohja e ajrit të jetë më e dobët, dhe temperaturat e larta bëjnë që linja të bjerë“, ka theksuar Mujoviç, duke shtuar se po punohet për të riparuar defektin por nuk dha një kohë të caktuar se kur do të rikthehet normalisht energjia./vizionplus.tv