Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin Ukrainën derisa siguria e saj të “garantohet”, u zotua të martën (14/5) Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken gjatë një vizite në Kiev, ndërsa Ukraina përballet me një sulm të ri rus në verilindje të saj.
Në një fjalim në Institutin Politeknik Ihor Sikorsky në Kiev, Blinken pranoi se vonesa e armëve amerikane e bëri Ukrainën më të prekshme ndaj sulmeve ruse, por theksoi se Kievi mund të llogariste në mbështetjen e palëkundur të Uashingtonit, pasi populli amerikan e kuptonte se Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë.
“Putini po rrit një tjetër ofensivë kundër Ukrainës në Kharkiv dhe në lindje, duke dërguar valë trupash ruse, dronë iranianë, artileri dhe tanke të Koresë së Veriut, raketa dhe avionë luftarakë të ndërtuar me makineri dhe pjesë të furnizuara nga Kina”, tha ai.
“Shtetet e Bashkuara kanë qenë në anën tuaj që nga dita e parë” dhe “ne do të qëndrojmë në anën tuaj derisa të garantohet siguria, sovraniteti dhe aftësia e Ukrainës për të zgjedhur rrugën e saj,” tha Blinken në një fjalim para studentëve në kryeqytetin ukrainas.
Blinken, i cili mbërriti në Kiev këtë mëngjes premtoi gjatë takimit të tij me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky se ndihma amerikane është “në rrugë”.
“Disa (ndihma) tashmë ka mbërritur, më shumë (ndihma) do të mbërrijnë” dhe “kjo do të bëjë një ndryshim të vërtetë në fushën e betejës”, siguroi Sekretari amerikan i Shtetit.
Zelensky bëri thirrje për përshpejtimin e dërgesave të armëve dhe gjithashtu këmbënguli në nevojën që vendi i tij të marrë më shumë mbrojtje kundërajrore, duke kërkuar dy grupe raketash tokë-ajër Patriot për rajonin e Kharkiv, i cili është goditur javët e fundit nga bombardime të rënda që kanë shkaktuar mes problemeve të tjera në furnizimin me energji elektrike./vizionplus.tv/