Bllokohen ligjet me 84 vota, ngecin amnistia, pagat e kushtetueses, avokati i popullit dhe ligji për shtetësinë

10 months ago 22

Prej 5 tetorit opozita ka tentuar të bllokojë çdo mbledhje të parlamentit, por nëse nuk ia ka dalë të ndalojë qeverinë të votojë nismat ligjore, deputetët demokratë kanë mundur të bllokojnë ligjet që kërkojnë më shumë vota se sa ka mazhoranca socialiste, ligjet me 84 vota.

Një prej këtyre ligjeve është amnistia, e cila mbërriti në parlament në fillim të muajit dhe nga e cila përfitojnë ulje dënimi apo liri rreth 600 persona. Tradita parlamentare ka treguar se ligjet e amnistisë janë miratuar para festave të fundvitit, por në seancat ku opozita ngre barrikada e ndez tymuese, ideja e konsensusit për çfarëdo lloj ligji është bërë politikisht e papranueshme.

Një ligj tjetër që mbeti në parlament është drafti që rrit pagat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese deri në 6.4  milionë lekë, i cili sërish kërkon konsensusin e 84 deputetëve, në një kohë që mazhoranca numëron vetëm 77.

Në këtë rast edhe gatishmëria e Lulzim Bashës dhe deputeteve të tij nuk e ndihmoi qeverinë të miratonte rritjen e pagave. Pas dy përpjekjeve të dështuara për të arritur numrin e 84 votave pro, ligji as nuk është futur më në rendin e ditës në séancë plenare.

Në klimën e tensionuar politike në parlament nuk po diskutohet më as për avokatin e popullit. Erinda Balancës i ka mbaruar mandati para 19 muajsh, por zgjedhja e pasardhësit të saj duket gjithnjë e më vështirë për një figurë që duhet të ketë konsensusin e opozitës dhe mazhorancës.

Projektligji për shtetësinë mori miratimin  e opozitës në séancën e 21 shtatorit para se të niste aksioni për bllokimin e parlamentit, por presidenti e ktheu për rishqyrtim. E tashmë duket e vështirë që demokratët të ndërpresin protestën për të votuar këtë draft edhe pse ai i shërben sportit e synon dhënien e shtetësisë shqiptare për kategorinë e sportistëve.

Situata në parlament pritet të jetë sërish e tensionuar edhe në 15 janar kur parlamenti nis punimet pas pushimeve të fundvitit. Dhe duket se pa u zgjidhur konflikti politik mes opozitës e mazhorancës asnjë ligj me shumicë të cilësuar nuk do të miratohet në parlament.

/Vizionplus.tv/

Read Entire Article