Çdo ditë gjyqe për divorce/ Durrës, ekonomia, emigrimi dhe tradhtitë kanë shtuar rastet

8 months ago 13

Çdo ditë të paktën dy çifte i drejtohen gjykatës së Durrësit për të zgjidhur martesën e tyre.

Durrësi është një nga rajonet me numrin më të lartë të çështjeve të regjistruara për divorc në shkallë vendi, ndërsa më së shumti fëmijët janë viktima të konflikteve mes prindërve gjatë dhe pas këtij procesi.

“Nga viti në vit shohim se numri i divorceve në qytetin e Durrësit është çdo vit e në rritje. Kjo rritje vjen në çiftet e reja, që sapo kanë krijuar familje dhe sjellë në jetë fëmijë. Pasojat më së shumti reflektohen tek të miturit dhe te papërgjegjshmëria e prindërve jokujdestarë në momentin e zgjidhjes së martesës”, tha avokatja Orgeta Sinollari.

Vitin e kaluar në gjykatën e Durrësit u depozituan 717 padi për divorc, krahasuar me 576 në vitin 2022. Ndërkohë, vetëm gjatë muajit janar të këtij viti janë regjistruar 62 padi të tjera për zgjidhje martese.

Bazuar në statistikat e gjykatës, janë gratë ato që kërkojnë kryesisht zgjidhjen e martesës. Shkaqet janë të ndryshme, po ndër kryesoret mbeten dhuna, tradhtia bashkëshortore, konfliktet për shkak të përdorimit të rrjeteve sociale, si dhe ndërhyrja e familjarëve të tjerë në jetën e çiftit.

“Mendoj ana ekonomike, tradhtitë. Ekonomia ka të bëjë shumë.”

 “Kur sillet keq më mirë lëre se të rrish me të. Më mirë vetëm se të rrish me të. Jepi divorcin dhe shëndet. Kjo është zgjidhja. Nëse i jep tolerancë, ai do e përsërisë prapë…”

 “Ekonomia, tradhtia. Ai që ka lekë shkon ku ti dojë qejfi se ndryshe ska pse të tradhëtojë, ose nuk gjejnë ngrohtësi familjare. Po dhe varfëria e madhe, çmimet shumë të larta dhe konfliktet që arrijnë deri te divorci.”

“Vij nga Gjermani dhe shoh se çmimet këtu rriten shumë shpejt. Vij prej 15 vitesh për pushime këtu dhe kjo nuk është gjë e mirë dhe njerëzit janë të irrituar nga kjo dhe ndikon tek familjet. Janë të njëjtat çmime si në Gjermani, madje dhe pak më të larta.”

“Papunësia, gjendja ekonomike. Çiftet e reja të impenjohen në punë se punë ka sa të duash”, thonë qytetarët.

E ndërsa divorci konsiderohet procedura më e lehtë për t’i dhënë fund problemeve, avokatë, psikologë dhe qytetarë shprehen se duke përjashtuar rastet e dhunës sistematike, çiftet duhet të luftojnë për ta ruajtur dhe konsoliduar familjen, duke i ofruar mbështetje dhe mirëqenie fëmijëve.

 “Çiftet e reja duhet të punojnë se duke ndenjur në shtëpi gjithë ditën në telefon e lokal nuk ka ekonomi. E gjithë disfata te çiftet e reja është mosangazhimi në punë.”

 “Janë të rinjtë që s’kanë durim shumë për problemet që kanë në jetë, që të përballen dhe i bien shkurt me ndarje. Nuk i përballojnë shumë problemet se dhe jeta është bërë më stresuese, më e vështirë”, thanë qytetarët.

“Patjetër që ka një rrugë për t’iu shmangur divorcit përveç rasteve të dhunës, pijeve alkolike dhe bixhozit dhe vendimet e gjykatave duhet të shoqërohen dhe me programe rehabilitimi dhe edukimit se si duhet të prindërojnë dhe pas zgjidhjes së martesave ligjore”, tha avokatja.

Ruajtja e familjes mbetet sfida më e madhe e familjeve dhe shoqërisë shqiptare sot.

Top Channel

Read Entire Article