Dënimi me një vit burg i Salianjit, reagon Gjykata e Apelit: Vendimi ishte unanim

1 month ago 20

Gjykata e Apelit ka reaguar pas vendimit të djeshëm për të lënë në fuqi dënimin me një vit burg për deputetin demokrat Ervin Salianji

“Nisur nga disa kërkesa lidhur me vendimin e djeshëm (çështja ndaj të pandehurve Ervin Salianji, etj), ju njoftojmë se vendimi është marrë në unanimitet”, thueht në deklaratën e Apelit.

Lexo edhe :

Related Posts

Trupa gjykuese e gjykatës së Apelit përbëhej nga Elona Toro, Genti Shala dhe Iliba Bezati.

Me vendim të kësaj trupe, ditën e djeshme u la në fuqi vendimi i Gjykatës së Tiranës të 18 dhjetorit 2019 e cila shpallte fajtor Salianjin për ‘kallëzim të rremë’ lidhur me audio-përgjimin e dosjes Babale dhe e kishte dënuar me 1 vit burg.

Nërsa këtë të premte pritet arrestimi i deputetit të PD Ervin Salianji. Ky i fundit shkoi në Selinë e PD-se dhe u takua me kreun e Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi dhe nënkryetarin Agron Gjekmarkaj.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit, një ditë pas dënimit.

Në kërkesën e drejtuar nga kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, drejt kryeparlamentares, Elisa Spiropali, theksohet se Prokuroria po shkel Kushtetutën, duke nxituar në arrestimin e Salianjit.

Sipas PD, nuk mund të ketë arrestim apo kontroll banese të një deputeti që ende gëzon mandatin si i tillë.

Çfarë është dosja “Babale”?

Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin Babale.

Krimet e Rënda lëshuan urdhër-arreste për protagonistët e audiopërgjimit, Albert Veliu, i njohur ndryshe me nofkën “Babalja” dhe kunatin e tij, Fredi Alizoti.

Nga ekspertiza që i është bërë kampionit të zërit, ai që dëgjohet në audio s’është i Agron Xhafajt, por i Alizotit, i cili pranonte se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit, pasi iu ishin premtuar 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji.

Ai u shpreh se kishte vendosur të tregonte të vërtetën pasi “Babalja” nuk i kishte dhënë pjesën e parave që i detyrohej.

Më pas prokuroria mori të pandehur ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji për dosjen ‘Babale’.
Salianji është marrë i pandehur, pasi rezultoi si personi që kontaktoi me Albert Veliun dhe nëpërmjet gazetarit Jetmir Olldashi publikuan në selinë e PD audio-përgjimin e rremë.

Ndërkohë, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa la kampionin audio të zërit të tij në prokurori dhe u largua për t’u dorëzuar drejtësisë në Itali ku kishte për të vuajtur edhe 4 vite burg./vizionplus.tv

Read Entire Article