Dhuna në familje është një fenomen mjaft shqetësues në shoqërinë tonë, ku çdo ditë raportohet për raste të tilla.
Për të parandaluar dhunën apo për t’u përgjigjur kundër saj duhen edhe njohuri mbi ligjin, ndaj kjo ishte edhe tema e trajtuar këtë mëngjes në emisionin “7pa5” në Vizion Plus.
I ftuari, avokati Alban Duraj, theksoi se dhuna duhet denoncuar në çdo rast, por shpesh herë personat e dhunuar stepen.
Sipas tij, shpesh herë qytetarët e dhunuar nuk kanë besim tek institucionet.
“Mendoj se qytetarët nuk kanë besim tek institucionet më shumë se sa te ligjet. Shumë nga këto institiucione, që nga policia e komisariatet, jam përballur në disa raste që kam përfaqësues viktimat dhe më kanë thënë se kam shkuar e nuk më kanë marrë denoncimin”, tha ai.
Ai theksoi se ka hasur raste që klientët e tyre i kanë rrëfyer se nuk gjetur mbështetje as nga uniformat blu.
“Në raste të veçanta më kanë thënë klientët që mirë ta ka bërë burri që të ka rrahur se është burri i shtëpisë”, shtoi ai.
Megjithatë avokati theksoi se janë kryer vazhdimisht trajnime për punonjësit e policisë që kanë rezultuar të frytshme, por ende duhet punë në këtë aspekt.
Avokati Duraj apeloi se çdo çift që dështon në martesën e tyre duhet të divorcohet për të evituar sjelljet e dhunshme apo për të mos e lejuar atë./vizionplus.tv