Krimi Kibernetik në Tiranë ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale. Një 15-vjeçare ka denoncuar se një shtetas i kishte hapur profile false në rrjete sociale dhe e shantazhonte për ti dërguar foto/video intime, si dhe për të kryer marrëdhënie seksuale me të.
Pas hetimit, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Intimiduesi”, në bashkëpunim dhe me Komisariatin e Policisë Nr. 5, u ndalua shtetasi B. Ç., 27 vjeç, banues në Tiranë.
“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, i ka hapur profile false, një 15 vjeçareje, në rrjete sociale, e shantazhonte për ti dërguar foto/video intime dhe për të kryer marrëdhënie seksuale me të”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera, janë dokumentuar dy ngjarje të tjera të kësaj natyre kriminale, me autor të dyshuar 27-vjeçarin dhe dy të dëmtuara 15 dhe 16 vjeçe.
E mitura e kishte kërcënuar 27-vjeçarin se do vriste veten, siç shihet nga komunikimi në rrjete sociale.
Materialet procedurale për këtë rast i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Duke marrë në kosideratë, që këto raste sjellin pasoja të rënda, Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, i bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrjeteve sociale, kryesisht grave dhe vajzave, që në çdo moment që do të konstatojnë profile me të dhënat ose fotot e tyre, që do të ndjejnë pasiguri ose frikë, të paraqiten pranë zyrave tona në DVP Tiranë, për të depozituar kallëzim./vizionplus.tv