Institutet më të njohura studimore gjermane për ekonominë kanë prezantuar së bashku prognozën koniunkturore. Ata presin një zhvillim ekonomik të dobët në Gjermani. Sipas prognozës së tyre prodhimi i përgjithshëm bruto në këtë vit në vazhdim do të ulet me 0,1%. Në pranverë ata kishin parashikuar një plus me 0,1% dhe kishin konstatuar se”ekonomia në Gjermani është e dobësuar.”
Përmirësim i lehtë pritet në vitin 2025, një plus prej 0,8%, por në pranverë institutet kishin llogaritur një plus me 1,4%. Në bazë të prognozave të deritanishme në vitin 2026 pritet një rritje ekonomike prej 1,3%.
Ndryshimi strukturor dhe konkurrenca nga Kina
Dobësimi koniunkturor në Gjermani zgjat prej kohësh. Në vitin 2023 ekonomia më e madhe europiane u tkurr me 0,3%. “Krahas dobësimit koniunkturor ekonominë gjermane e rëndon edhe transformimi strukturor”, citon portali tagesschau Geraldine Dany-Knedlik, drejtuesja e departamentit “Prognozë dhe Politikë Koniunkturore” në Institutin Gjerman të Ekonomisë, DIW. “Dekarbonizimi, digjitalizimi, ndryshimi demografik dhe po ashtu konkurrenca më e fortë me kompani në Kina kanë vënë në lëvizje procese rregullatore strukturore që i ulin perspektivat e rritjes të ekonomisë gjermane.”
Kritika ndaj paketës për rritjen ekonomike të qeverisë gjermane
Qeveria federale planifikon një paketë të rritjes ekonomike për shkak të dobësimit të ekonomisë. Megjithatë, masat nuk janë të mjaftueshme për shoqatat e fuqishme të biznesit. Ato kërkojnë reforma themelore dhe ankohen për çmimet e larta të energjisë krahasuar në shkallë ndërkombëtare, por edhe burokracinë e tepërt dhe mungesën e punëtorëve të kualifikuar.
Prognoza e përbashkët ekonomike është përgatitur nga DIW, Instituti Ifo, Instituti i Kielit për Ekonominë Botërore, Instituti Leibniz për Kërkime Ekonomike, Halle dhe RWI – Instituti Leibniz për Kërkime Ekonomike Essen. Ajo i shërben qeverisë federale si orientim për parashikimet e saj në tetor, të cilat merren si bazë për vlerësimin e të ardhurave të taksave./DW