Motivi i vërtetë i vrasjes së Pëllumb Metës në Shënavlash të Durrësit, nuk është zbardhur ende, ndërsa bashkëshortja e tij në hetim dhe 3 fëmijët e arrestuar, i qëndrojnë motivit të dhunës në familje dhe vendimit për të fejuar pa dëshirë vajzën 19-vjeçare.
Po vendimi për ta fejuar pa dëshirë është hedhur poshtë nga familja që kishte shfaqur interes për këtë krushqi. Madje dhe Blerina, nëna e vajzës, ashtu si babai i vrarë, kanë pasur të njëjtin qëndrim në lidhje me këtë mundësi fejese.
Në Shënavlash Blerinën, gruan e viktimës e njohin si grua me shkollë, që deri vonë ka bërë në shtëpi kurse të gjuhës së huaj, anglisht, për fëmijët.
“Nëse do të ishte grua e dhunuar, siç thotë, zor se do e linte burri të fuste njeri në shtëpi. Nuk di ç’mund të ketë ndodhur, por e rëndë shumë është. E sa për t’i bërtit fëmijëve e bëjmë të gjithë. Këta krutanët ndoshta pak më shumë se janë fanatikë dhe autoritarë, por jo të vrasësh babën. Ai për ata thoshte se jetonte e punonte. Biles më dukej liberal me djemtë. Të voglin e kishte punëtor, ndërsa të madhin e çoi njëherë me lekë në Angli. Shpenzoi për të, por nuk i eci dhe u kthye. Pastaj shkoi në Itali dhe tani u kthye për të vrarë babën. S’di ç’të them”, thotë një bashkëfshatar i viktimës.
Hija e rëndë e krimit rëndon mbi Shënavlash, fshatin që konsiderohet pjesë e qytetit të Durrësit për shkak të afërsisë me të. Njerëzit hezitojnë të flasin publikisht. I druhen mikrofonit dhe ndjejnë një lloj pasigurie që s’dinë ta shpjegojnë, ndonëse krimi ndodhi brenda familjes.
Top Channel