“Java Kundër Bullizmit” është një fushatë vjetore e cila zhvillohet nga data 11 nëntor deri më 15 nëntor dhe ka për qëllim edukimin e nxënësve për zhdukjen e bullizmit. Kjo javë synon të rrisë ndërgjegjësimin për rrezikun që vjen nga bullizmi, ndikimi i tij te individët dhe rëndësia e parandalimit të bullizmit në shkolla, komunitete dhe në rrjetet sociale.
Psikologia Arjana Muçaj në një lidhje të drejpërdrejtë në emisionin “7pa5” në Vizion Plus tha se të gjitha format e bullizmit, qoftë ato të drejtpërdrejta, qoftë ato në rrjete sociale janë të rrezikshme. Sa i përket rrjeteve sociale, psikologia tha se shpesh janë prindërit ata të cilët ekspozojnë fëmijët e tyre në këto platforma dhe pastaj nuk dinë se si ta menaxhojnë bullizmin. Psikologia thekson se roli i prindit në formimin e fëmijës është thelbësor ndaj komunikimi është çelësi për të ndërtuar ura mes prindit dhe fëmijës.
Arjana Muçaj: Është një temë shumë e ndjeshme. Vitet e fundit është bërë shumë në lidhje me mënyrën e ndërgjegjësimit dhe parandalimin e fenomenit të bullizmit në institucionet tona arsimore. Të gjitha format e bullizmit janë të rrezikshme. Në ditët e sotme ajo që vjen nga teknologjia është më e rrezikshme sepse është prindi i pari që e ekspozon fëmijën ndaj rrjeteve sociale dhe pastaj nuk di të ndalet dhe si ta menaxhojë bullizmin që përjeton fëmija. Teknologjia sot luan lojëra të ndryshme. Ti thjesht mund të kesh bërë një bisedë me një të pajohur, por papritur e gjen veten përballë një kërcënimi.
Fëmijët në periudhën e adoleshencës më të rëndësishëm kanë shokun mikun dhe jo familjen për të folur. Në hapat e parë nëse ka një shok/shoqe të mirë që e mbështet mund të jetë ai që e këshillon për të kërkuar ndihmë, te prindi ose të psikologu i shkollës ku mund të kërkosh ndihmë dhe të referohesh për ngjarjen që të ka ndodhur. Sot është e vështirë të shikosh fëmijë që kërkojnë ndihmë dhe shpesh gjejnë mënyrën e gabuar aty ku kërkojnë ndihmë.
Periudha e adoleshencës është një periudhë e një zhvillimi të vrullshëm. Ka ulje-ngritjet e veta sa i përket aspektit emocional. Prindi duhet të dijë të gjejë formën e komunikimit. Duhet të shikojnë dhe moshën në të cilën ndodhen dhe të kuptojnë gjendjen e zhvillimit të tyre. Shpërthimi emocional është shumë i rëndësishëm, aspekti i të menduarit, kreativiteti…të gjithë këta janë elementë që ndikojnë. Komunikimi është çelësi i çdo prindi dhe prindërit duhet të fillojnë të shqetësohen kur ky komunikim fillon të çalojë./vizionplus.tv