Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të enjte në zonën e Anzola dell’Emilia në Bologna të Italisë. Një police është qëlluar me armë zjarri nga kolegu i saj 60-vjeçar, dhe ka humbur jetën në ambientet e institucionit.
Mediat italiane raportojnë se viktimë ka mbetur 33-vjeçarja Sofia Stefani, ndërsa autori është 60-vjeçari Giampiero Gualandi, i cili në të shkuarën kishte qenë edhe komandant brigade.
Pas ngjarjes 60-vjeçari ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, pasi ai ka qenë duke pastruar armën.
Menjëherë pas kësaj ngjarje të rëndë ka reaguar edhe kryebashkiaku i Anzola Bolognese, Giampiero Veronesi, i cili ka deklaruar se është i tronditur nga gjithë kjo që ka ndodhur.
“Jam vërtetë zemërthyer dhe i tronditur që diçka e tillë mund të ndodhë në Bashkinë tonë, e cila është shumë e vëmendshme dhe gjithmonë në vijën e parë kundër dhunës ndaj grave. Ne mblidhemi rreth familjes së kësaj vajze”, u shpreh Veronesi.
Pavarësisht deklaratave të Gualandit, policia po heton edhe pistën e krimit të pasionit, pasi dyshohet se mes dy kolegëve mund të ketë patur edhe romancë të fshehtë, por që mund të jetë prishur kohët e fundit nga policja që mbeti e vrarë.