Aurel Kaçaniku dhe Renaldo Sadushi janë dy personat e arrestuar në Elbasan, pasi qarkullonin të armatosur. Policia njoftoi se arrestimi i tyre u bë pas sinjalizimit të marrë dhe gjatë kontrollit të automjetit u gjet një kallashnikov dhe municion luftarak.
Aurel Kaçaniku rezulton i dënuar më parë në Gjermani, ndërsa Renaldo Sadushi është me precedent penal të mëhershëm për plagosje dhe për kundërshtim të punonjësve të Policisë.
“Si rezultat i një hetimi proaktiv, të ndjekur në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, kundër armëmbajtjes pa leje, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan finalizuan operacionin policor të koduar “Indiciet”. Në kuadër të operacionit, shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguara gjatë hetimit proaktiv, kanë ndaluar për kontrolle, në rrugën “Iliaz Kosova”, automjetin me drejtues shtetasin A. K., 32 vjeç (i dënuar më parë në Gjermani), dhe me pasagjer shtetasin R. S., 30 vjeç (me precedent për plagosje dhe për kundërshtim të punonjësve të Policisë).”, thekson policia.
Arma e zjarrit u gjet nën sediljen e pasagjerit dhe posedohej pa leje nga të arrestuarit./vizionplus.tv