Fitoi çmimin në Itali, shkrimtari Zhiti: Pse zgjodha titullin e librit “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”

2 months ago 34

Shkrimtari i njohur shqiptar, Visar Zhiti është fituesi i çmimit ndërkombëtar italian“Camaiore – Francescco Belluomini” për librin me poezi “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”, përkthyer në italisht nga Profesor Elio Miracco.

I ftuar në emisionin “Vizioni i Pasdites” me Brikena Priftin, Zhiti tha se zgjodhi të vendoste këtë titull sepse është i thjeshtë dhe sa më rinor, teksa shton se fatmirësisht është pritur shumë mirë nga lexuesit.

“Mendova se i shkonte ky mesazh librit. Rrugët e jetës janë ato që na çojnë diku, por dhe i zgjedhim ne, pra në një mënyrë rrjedhin nga duart tona. Mendova të ishte një titull sa më rinor sa i thjeshtë dhe u prit mirë për fat”, tha shkrimtari Zhiti.

Siç thotë shkrimtari Zhiti, kritikët e vendit, por edhe ata jashtë e kanë vlerësuar librin “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”.

“Botuesi kishte zgjedhur thënie nga autorë të ndryshëm. Më vjen mirë që është vlerësuar nga kritikët këtu, por edhe në Itali”, shtoi ai.

Pyetjes së moderatores se çfarë e frymëzon Zhitin, ai tha se realiteti. Visar Zhiti e cilëson poezinë si dashuri dhe liri të lidhura bashkë. Ai theksoi se po punon për botimin e një libri të ri me poezi.

“Nuk di t’a shpjegoj çfarë më frymëzon. Poezinë e kam menduar si një ditar të jetës, është jo rrëfim, por ndjesi. Më ka frymëzuar dashuria, burgu, realiteti. Mendoj se poezia është dashuri dhe liri. Kam dëshirë të bëj libra të tjerë me poezi. Poezitë mbase janë gati në vitin e ardhsëm, ndërsa për romanin se di”, tha Zhiti. /vizionplus.tv

Read Entire Article