Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vizitoi ditën e sotme qytetin e Shijakut, ju u takua me autoritetet vendase, qytetarë, mësues dhe nxënës.
Gjatë vizitës së tij ai bëri një xhiro përgjatë qytetit ku u takua me qytetarë dhe tregtarë, ku ndau me ta disa çaste, duke u njohur me problemet e tyre të përditshme.
Gjithashtu Begaj vizitoi shkollat e rindërtuara pas tërmetit, ku dhuroi për bibliotekat e tri shkollave në Shijak rreth 150 tituj didaktikë dhe letrarë.
Gjatë bashkëbisedimit, Begaj u bëri thirrje nxënësve të vlerësojnë dhe respektojnë mësuesit sikundër respektojnë familjet e tyre.
“Nëse ne jemi frymëzyes, e nesërmja ka më shumë shpresë”, – u shpreh Presidenti Begaj, duke theksuar domodsoshmërinë e arsimit cilësor në përgatitjen e brezave.
Gjatë vizitës në Shijak, Presidenti Begaj ndoqi dhe një ekspozitë të vëllezërve piktorë Faja, të bijtë e artistit emblemë të këtij qyteti,“ Piktorit të Merituar”, Agim Faja. Ekspozita “Ç’po luftojnë siç u ka hije, burrat trima t’ksaj nahije”, i dedikohet rolit dhe kontributit të luftëtarëve të kësaj zone në 110- vjetorin e Luftës së Shkodrës.