Gjykata e Apelit i ka ulur dënimin Granit Shehut me 3 vite e 8 muaj burg.
Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe përfundimisht i pandehuri Granit Shehu dënohet me 13 (trembëdhjetë) vjet e 4 (katër ) muaj burgim. Vuajtja e dënimit fillon nga data e arrestimit të tij. njofton Gjykata e Apelit.
Vitin e kaluar Interpol Tirana ekstradoi drejt vendit tonë Granit Sheun. Ai ishte shpallur në kërkim dërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendim të formës së prerë më datë 03.10.2018 e dënoi me 16 vite burg për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”.
Granit shehu akuzohet për vrasjen e kushëririt të tij, Milazim Shehu. Graniti e qëlloi 12 herë me thikë djalin e xhaxhait, Milazim Shehu,i cili mbante detyrën inspektor i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, duke i shkaktuar vdekjen.
Autori e dërgoi kushëririn e tij në spital, ku deklaroi se e kishin kafshuar qentë. Ngjarja ndodhi me 16 shtator të 2015, kur pas një konflikti për shkaqe banale dy kushërinjtë janë konfliktuar me njeriu-tjetrin.
Si shkak sipas hetimit të prokurorisë ka shërbyer, një pretendim i autorit të krimit Granit Shehu se vajza e të ndjerit, i kishte vjedhur në banesë një sasi prej 12 mijë lekësh të reja. Një pretendim i tillë, nuk është pranuar nga pala e Milazim Shehut.
Njoftimi i Gjyklates
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale G (G). Sh, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim’’, të parashikuar nga neni 78/2 i K.Penal.
Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 16.09.2015, në rrugën “Horizonti”, të Bashkisë Kamëz. Shtetasi me iniciale M. Sh është goditur nga i pandehuri G. (G). Sh (kushëriri i tij), disa herë me mjete të forta dhe prerëse, duke i shkaktuar atij plagë të rënda, deri në humbjen e jetës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tirane, me vendimin nr. 3314, datë 31.10.2016 ka vendosur:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit G (G). Sh për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, dhe në bazë të nenit 78/2 të Kodit Penal e dënon atë me 24 (njëzetekatër) vjet burgim.
2. Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale, pas uljes së dënimit me 1/3, i pandehuri G (G). Sh dënohet me një dënim të vetëm përfundimtar prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjet burgim.
3. Vuajtja e dënimit do të fillojë nga data e arrestimit.
Çështja në apel është shqyrtuar mbi bazën e ankimeve:
1.Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila kërkoi:
– Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ndaj të pandehurit me iniciale G (G). Sh .
-Deklarimin fajtor të të pandehurit me iniciale G (G). Sh ., për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim e kryer për hakmarrje në dëm të shtetasit me iniciale M.SH”, të parashikuar nga neni 78/2 të K.Penal dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
-Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, dënimin e tij me 35 (tridhjetë e pesë) vjet burgim.
2.Nga i pandehuri me iniciale me iniciale G (G). Sh i cili kërkoi :
-Deklarimin fajtor të të pandehurit me iniciale G (G). Sh për veprën penale të parashikuar nga neni 82 i Kodit Penal “ Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike” apo 83 i K.Penal “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe dënimin e tij sipas dipsozitave përkatëse.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 2082, datë 03.10.2018 ka vendosur:
-Lënien në fuqi të vendimit penal nr. 3314, datë 31.10.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, kanë ushtruar rekurs :
1.Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Tiranë e cila kërkuar:
-Prishjen e vendimit nr.2082, datë 03.10.2018 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e akteve për rishqyrtim kësaj gjykate”.
2. I pandehuri me iniciale me iniciale G (G). Sh i cili ka kërkuar:
-Prishjen e vendimit nr.2082, datë 03.10.2018 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e akteve për rishqyrtim duke urdhëruar ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale nga neni 78/2 të K.Penal “Vrasja me paramendim” në veprën e parashikuar nga neni 82 të K.Penal “Vrasja në kushtet e tronditjes së fortë psikike” ose neni 83 i K.Penal “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe dënimin e tij sipas dipsozitave përkatëse.
Gjykata e Lartë bazuar në nenin 112/3 , të K.Pr.Penale ka konstatuar palvefshmërinë e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë për mungesë të arsyetimit lidhur me cilësimin ligjor të veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, të parashikuar nga neni 78/2 të K.Penal, dhe me vendimin nr. 298, datë 07.11.2023 ka vendosur:
“Prishjen e vendimit nr. nr. 2082, datë 03.10.2018 të Gjykatës së Apelit Tiranë, dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Pëegjithshëm, me tjetër trup gjykues”.
Në përfundim të gjykimit, më datë 23.05.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fatri Islamaj dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Marsela Pepi, vendosi:
– Ndryshimin e vendimit nr. 3314 , datë 31.10.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë si vijon:
-Deklarimin fajtor të të pandehurit G (G). Sh për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje”, parashikuar nga neni 76 i K.Penal, dhe dënimin e tij me 20 (njëzet) vjet burgim.
-Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe përfundimisht i pandehuri G (G). Sh denohet me 13 (trembëdhjetë) vjet e 4 (katër ) muaj burgim.
-Vuajtja e dënimit fillon nga data e arrestimit të tij.
/vizionplus.tv/