Shqipëria ende nuk ka hyrë në epidemi të gripit megjithatë ndodhet në zonën e rrezikut. Sipas Institutit të Shëndetit Publik vetëm në javën e dytë të janarit afro 15 mijë persona kërkuan ndihmën e mjekut, por shifra është akoma më e lartë, pasi shumë qytetarë nuk paraqiten menjëherë nëpër qendra shëndetësore apo spitale.
“Ka arritur në 15 mijë që përkthehet me shtim të vizitave ambulatore te mjeku i familjes dhe në urgjenca. Kemi një dominancë sa i përket gripit por edhe të Covid, pra dy viroza kryesore në muajin janar”, thotë Dritan Ulqinaku, zëvendës drejtori i ISHP.
Ekspertët shprehen se këtë periudhë të dimrit ka një qarkullim më të dendur të gripit në krahasim me vitet e kaluara.
“Kemi një qarkullim më të dendur të gripit ne krahasim me vitet e kaluara. në kohën e pandemisë kemi pasur një zhdukej të gripit , pra për 2 vite e kemi pasur të vështirë të gjej raste me grip. Ndërsa tani kemi një bashkëqarkullim të dy infeksioneve. që do të thotë që shumë individë preken nga Covid dhe më pas nga gripi. Gripi ka karakteristike temperaturën e lartë, pra nëse një individ ka temperaturën e larte është i prekur nga gripi dhe nëse kemi një temperature që shoqërohet me dhimbje gryke është Covid.”
Më të prekur po rezultojnë fëmijët. Në shërbimin e urgjencës pediatrike në QSUT brenda një ditë numri i vizitave arrin në 300, por ka ditë që kjo shifër shkon në edhe në 400.
“Mosha më e prekur është ajo pediatrie, është 0-1 vjeç e pasur me 1-5 vjeç dhe kemi moshën mbi 65 vjeç. Kemi pasur një fat që në kohën e Covidit që nuk i prekte ose i prekte në mënyrë shumë të lehtë”
Tirana kryeson për numrin më të lartë të rasteve me grip, ndjekur nga Gjirokastra dhe Durrësi. Rastet janë në rritje dhe sipas ecurisë së kurbës piku pritet të shënohet në fund të janarit ose në javën e parë të shkurtit./vizionplus.tv