Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 3”.
Operacioni nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH në kuadër të operacioneve të njëpasnjëshme policore, për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.
I kërkuar në Itali, për pjesëmarrje në një organizate kriminale për trafikim të lëndëve narkotike, lokalizohet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi, 41-vjeçari.
Në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”, dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 3”.
Gjatë operacionit, në Kamëz, u lokalizua dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar P. S, 41 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Perugias, Itali, në vitin 2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal me qëllim trafikimin e narkotikeve”, parashikuar nga Kodi Penal Italian.
Në vitin 2022, ky shtetas në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë krijuan grup kriminal me qëllim trafikimin dhe më pas shitjen e kokainës në sasi të ndryshme.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi.
Top Channel