Anëtari i kryesisë së PD Belind Këlliçi ka deklaruar se në skemën e inceneratorit të Tiranës është përfshirë edhe një shtetas amerikan që sot po hetohet për mashtrim financiar. Këlliçi shpjegoi se në dhjetorin e vitit 2022, kompania mëmë në Holandë e Inceneratorit, i është drejtuar një kompanie në Kaliforni për të financuar inceneratorin e Tiranës me rreth 100 milionë euro.
“Ne një dokument të datës 9 dhjetor të vitit 2022, kompania mëmë në Hollandë ‘Geogenix BV’, i drejtohet Ethos Asset Management INC, me adrese San Diego Kalifornia, përfaqësuar nga Carlos Manuel da Silva Santos, të quajtur “Project summary”, ku specifikon se totali i investimit për ndërtimin e Inceneratorit në Landfillin e Sharrës është 141 milionë euro. Faza e pare është 28 milionë euro, nga te cilat janë financuar 22 milionë euro dhe nevojiten të financohen me borxh edhe 113 milionë euro të tjera”, tha Këlliçi.
Por drejtuesi i kësaj kompanie që është kërkuar financim për inceneratorin në 13 nëntor të vitit 2023 është arrestuar me akuzën për mashtrim financiar
“Ju do të shihni këtë publikim zyrtar të Departamentit të Drejtësisë Amerikane, konkretisht zyra e Prokurorit te SHBA-ve, Distrikti Jugor i Kalifornisë, në të cilin bëhet i ditur arrestimi me datë 13 nëntor 2023, i shtetasit Carlos Manuel da Silva Santos, me funksion CEO i kompanisë Ethos Asset Management Inc., me akuzën e mashtrimit financiar dhe krimeve të tjera në bashkëpunim. Hetuesit federale që kanë bërë ndjekjen dhe me pas arrestimin e këtij shtetasi, kanë deklaruar se ky individ, vetëm 29 vjeç, është personi që ka ngritur një skemë mashtrimi ndërkombëtare në bashkëpunim dhe me individë të tjerë”, tha ai.
Këlliçi i ka bërë apel SPAK-ut të hetojë edhe këtë pistë në çështjen për inceneratorin e Tiranës. /vizionplus.tv